NATO-ja mblidhet sot në Rumani, premtohet vazhdimi i ndihmave për Ukrainën - NACIONALE

NATO-ja mblidhet sot në Rumani, premtohet vazhdimi i ndihmave për Ukrainën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministrat e vendeve të NATO-s do të mblidhen të martën në Rumani për të grumbulluar përkrahje urgjentisht të nevojshme për Ukrainën, përfshirë dhurimin e pajisjeve elektrike për rrjetin e shkatërruar të energjisë në vendin e goditur nga lufta.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të martën tha se aleanca nuk do të zmbrapset nga përkrahja për Ukrainën, duke u bërë thirrje partnerëve që të zotohen për më shumë ndihma gjatë dimrit për Ukrainën, kur vendi po përgatitet për më shumë acar dhe errësirë për shkak të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës.

Ministrat do të përqendrohen edhe në shtimin e asistencës ushtarake për Ukrainën, si sistemet e mbrojtjes ajrore dhe municioni, edhe pse diplomatët i kanë pranuar problemet rreth furnizimit e kapaciteteve, por do të diskutojnë edhe për ndihmat jovdekjeprurëse, raporton agjencia “Reuters”.

Një pjesë e ndihmave jovdekjeprurëse – mallra si derivatet, produktet mjekësore, pajisjet për dimër e për bllokimin e dronëve – janë shpërndarë përmes një pakoje të asistencës së NATO-s, në të cilën aleatët mund të kontribuojnë dhe të cilën Stoltenbergu synon ta rrisë.

“NATO-ja do të vazhdojë të qëndrojë për Ukrainën aq gjatë sa të nevojitet. Ne nuk do të zmbrapsemi. Fokusi kryesor është përkrahja e Ukrainës dhe të sigurohemi që presidenti [Vladimir Putin] të mos fitojë”- tha sekretari i aleancës në një fjalim të mbajtur në Bukuresht.

Ai shtoi se e vetmja mënyrë që të sigurohen kushtet e duhura për fillimin e bisedimeve është që Ukraina të shënojë përparim në fushën e betejës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i paralajmëroi qytetarët e vendit të tij për sulme të reja ruse këtë javë, që mund të jenë aq të rënda sa ato të javës së kaluar, më të këqijat deri më tani, të cilat lanë miliona njerëz pa ngrohje, ujë e rrymë.

“Do të jetë një dimër i tmerrshëm për Ukrainën, prandaj ne jemi duke punuar që ta fuqizojmë përkrahjen tonë që ajo të mund ta marrë veten”- tha një diplomat i lartë i Bashkimit Evropian.

Gjermania, e cila tash për tash është duke e udhëhequr presidencën e Grupit G7, gjithashtu ka organizuar një takim të shtatë vendeve të pasura me disa partnerë në margjinat e bisedimeve të NATO-s, kur po bën shtytje për gjetjen e mënyrave për përshpejtimin e rindërtimit të infrastrukturës së energjisë në Ukrainë.

Franca dhe Gjermania kanë thënë se do të dërgojnë më shumë se 100 gjeneratorë të rrymës secila për të ndihmuar për stabilizimin e rrjetit elektrik.

“Arsyeja pse Rusia është duke i vazhduar këto krime lufte është sepse është duke humbur terren”- tha një zyrtar francez, duke iu referuar sulmeve ndaj infrastrukturës civile.

Lajme të ngjashme