ShBA-ja e Rusia e kanë përdorur një herë linjën urgjente gjatë luftës në Ukrainë - NACIONALE

ShBA-ja e Rusia e kanë përdorur një herë linjën urgjente gjatë luftës në Ukrainë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një linjë për komunikim, e krijuar mes ushtrive të Shteteve të Bashkuara e Rusisë në fillimin e luftës së Moskës kundër Ukrainës, është përdorur vetëm një herë deri më tani, i tha agjencisë “Reuters”një zyrtar amerikan.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara nisën një telefonatë përmes linjës së “dekonfliktit” për t’i komunikuar shqetësimet e tyre për operacionet ushtarake ruse afër infrastrukturës kritike të Ukrainës, përcjell gazeta Nacionale.

Pak hollësi dihen për incidentin specifik që e ka shkaktuar telefonatën përmes linjës urgjente, e cila e lidh Komandën Evropiane të ushtrisë amerikane me Qendrën Kombëtare të Menaxhimit të Mbrojtjes të Rusisë.

Zyrtari amerikan refuzoi që të hynte në hollësi, por tha se linja nuk është përdorur në rastin e rënies së një rakete në territorin e Polonisë më 15 nëntor, kur u vranë dy njerëz. Shpërthimi, me gjasë, ishte shkaktuar nga një raketë e sistemit mbrojtës ajror të Ukrainës, por NATO-ja ka thënë se Rusia është përfundimisht përgjegjëse për këtë rast, sepse ajo e filloi luftën në shkurt.

Ndonëse zyrtari amerikan refuzoi që të tregonte saktësisht se cili veprim rus e kishte ngritur alarmin për ta përdorur linjën urgjente, në terren ka pasur incidente të njohura publikisht për luftimet ruse përreth infrastrukturës kritike ukrainase.

Këtu përfshihen operacionet ruse përreth centralit bërthamor ukrainas në Zaporizhia, që është më i madhi në Evropë dhe që kontrollohet nga rusët.

Ukraina gjithashtu ka shprehur shqetësim se Rusia mund ta hedhë në erë digën e qytetit Nova Kakhovka, që kontrollon një rezervuar shumë të madh në pjesën jugore të Ukrainës. Bombardimi i digës do të shkaktonte vërshime në vendbanimet që ndodhen në nivel më të ulët afër saj, përfshirë zonën e kryeqytetit rajonal, Kherson, të cilin forcat ukrainase e rimorën nën kontroll më 11 nëntor.

Komunikimi mes Shteteve të Bashkuara e Rusisë ka qenë në qendër të vëmendjes që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, duke e marrë parasysh rrezikun për llogaritje të gabuar nga ndonjëra palë, që do të mund të shkaktonte konflikt të drejtpërdrejtë mes dy fuqive bërthamore.

Lajme të ngjashme