NASA prezanton kostumin e ri të astronautëve për misionin e radhës në hënë - NACIONALE

NASA prezanton kostumin e ri të astronautëve për misionin e radhës në hënë

1 vit më parë

nga NACIONALE

NASA dhe një kompani private kanë zbuluar një prototip të ri të kostumit hapësinor, që do të vishet nga astronautët në misionin e ardhshëm në hënë.

Bëhet e ditur se veshja e prezantuar përbëhet nga mbrojtje termike dhe ka fleksibilitet më të madh sesa kostumi që e kanë veshur astronautët në misionin Apollo gjysmë shekulli më parë.

Njoftohet gjithashtu se kostumi i ri përmban më shumë shtresa mbrojtëse, çantë shpinë me sistemin e mbështetjes së jetës, një ekuivalent go-pro me definicion të lartë në krye të helmetës dhe drita.

NASA shpreson që programi Artemis në hënë do të realizohet në vitin 2025, ndërsa do të shënonte zbarkimin e parë në hënë që nga tërheqja e ShBA-së nga misionet Apollo në 1972.

Sa i përket kostumit të ri, raportohet se kompania private Axiom ka fituar kontratën prej 228.5 milionë dollarësh për dizajnimin e tij, dhe formalisht kostumi quhet Axiom Extravehicular Mobility Unit.

Lajme të ngjashme