Mjekët raportojnë për pesë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, përfshirë një fëmijë 9 vjeç - NACIONALE

Mjekët raportojnë për pesë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, përfshirë një fëmijë 9 vjeç

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Sulmet izraelite lanë të vrarë pesë palestinezë të martën në Rripin e Gazës, përfshirë një djalë 9-vjeçar, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Mjekët thanë se një dron izraelit vrau një fëmijë të quajtur Adel Al-Najjar në pjesën lindore të qytetit Khan Younis, në jug të enklavës, ndërsa në shënjestër të një sulmi ajror izraelit ishte një automjet në qytetin Gaza, ku u vranë katër persona, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sa i përket sulmit në Khan Younis, ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar një individ që paraqiste rrezik ndaj trupave izraelite duke iu afruar “vijës së verdhë” që e shënon pjesën e Gazës të pushtuar nga Izraeli. Ushtria nuk paraqiti ndonjë dëshmi se personi paraqiste ndonjë rrezik.

Të afërmit e fëmijës së vrarë thanë se ai ishte duke grumbulluar letër kartoni që familja e përdorte për gatim të ushqimit. Në Gaza nuk ka pasur furnizim me rrymë që nga fillimi i konfliktit në tetorin e vitit 2023 dhe palestinezët janë ankuar edhe për kufizimin e hyrjes së gazit për gatim nga ana e autoriteteve izraelite.

“Nuk kemi gaz. Mbledhim letra kartoni për të pjekur, ata duan të hanë, duan të pinë” – tha Sabreen Al-Najjar, i afërm i fëmijës së vrarë.

Dhuna në Gaza ka vazhduar pavarësisht një armëpushimi të arritur në tetorin e vitit të kaluar. Izraeli ka kryer sulme pothuajse të përditshme ndaj palestinezëve që nga ajo kohë.

Të paktën 800 palestinezë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, sipas mjekëve lokalë, ndërsa Izraeli thotë se nga sulmet e militantëve i janë vrarë katër ushtarë gjatë periudhës së njëjtë.

Lajme të ngjashme