Ministri ekstremist izraelit Ben-Gvir kërkon “ndalje të plotë” të ndihmave në Gaza
Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, i njohur për qëndrimet e tij të së djathtës ekstreme, ka bërë thirrje për “ndalje të plotë” të ndihmave humanitare në Gaza, duke pretenduar se Hamasi po e merr kontrollin e ushqimit dhe mallrave.
Ai tha se do të kërkojë nga kryeministri Benjamin Netanyahu që të organizojë votim të ri nga kabineti për çështjen e ndihmave në Gaza, raporton gazeta “The Guardian”.
“Ndihma humanitare që aktualisht po hyn në Gaza është një turp absolut. Ajo që nevojitet në Gaza nuk është një ndalje e përkohshme e ndihmës “humanitare”, por ndalje e plotë e saj” – shkroi ministri izraelit në rrjetin X.
“Kur unë paralajmërova e paralajmërova, dhe fatkeqësisht isha i vetmi që votova para një muaji e gjysmë kundër vendosjes së ndihmave, ishte e qartë për mua se kjo do t’i jepte oksigjen Hamasit” – shtoi ai.
“Ishin ata që u tallën me mua dhe pretenduan se “ndihma që do të hyjë në veri të Rripit të Gazës do të zgjatë vetëm dhjetë ditë” dhe sot ajo që dihej paraprakisht po bëhet e qartë: Hamasi po e merr kontrollin e sasive të ushqimit dhe mallrave që kontribuojnë për mbijetesën e tij” – pretendoi ministri i së djathtës ekstreme.
"Ndërprerja e ndihmave do të na avancojë neve shpejt te fitorja. Unë do të kërkoj nga Kryeministri që në takimin e ardhshëm të kabinetit, çështja e vendosjes së ndihmave në Gaza të vihet në votim të ri" – paralajmëroi Ben-Gviri.
Që nga heqja e pjesshme e bllokadës izraelite muajin e kaluar, Kombet e Bashkuara janë munduar që të fusin ndihma në Rripin e Gazës, por janë ballafaquar me pengesa të mëdha, përfshirë rrugët e mbushura me rrënoja, kufizimet nga ushtria izraelite, sulmet e vazhdueshme ajrore dhe anarkinë në rritje.
Javëve të fundit është raportuar për shumë incidente, në të cilat është shtënë me armë në drejtim të njerëzve që shpresonin të merrnin ndihma nga kamionët që po silleshin në enklavë nga agjencitë e OKB-së dhe Fondacioni Humanitar i Gazës, i cili mbështetet nga ShBA-ja dhe Izraeli./Nacionale