Meksika pritet të bëhet me presidente hebreje, shkencëtare nga një familje shkencëtarësh - NACIONALE

Meksika pritet të bëhet me presidente hebreje, shkencëtare nga një familje shkencëtarësh

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Claudia Sheinbaum pritet të bëhet gruaja e parë që zgjidhet presidente e Meksikës, sipas “exit poll”-eve, në një shtet me nivel të lartë të dhunës kriminale dhe me bazë gjinore.

Ish-kryetarja hebreje e kryeqytetit Mexico City, e cila garoi si kandidate e partisë në pushtet, fitoi rreth 58 për qind të votave, sipas vlerësimit të kompanisë së anketave, “Enkoll”, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Kjo shifër e vë zonjën Sheinbaum dukshëm para rivales kryesore opozitare, Xochitl Galvez, senator dhe biznesmene e dalluar, e cila mori 29 për qind të votave.

Sipas kompanisë “Enkoll”, burri i vetëm në garë, Jorge Alvarez Maynez, mori rreth 11 për qind të votave.

Disa media e shpallën zonjën Sheinbaum fituese pa e saktësuar përqindjen e votave.

Pasi e futi fletëvotimin në kuti, ajo tha se nuk e ka votuar veten, por një veterane majtiste 93-vjeçare, Ifigenia Martinez, si mirënjohje për përpjekjet e saj.

Sheinbaum është shkencëtare. Ajo e ka titullin PhD inxhinieri të energjisë nga Universiteti Kombëtar Autonom i Meksikës. Është autore e më shumë se 100 artikujve dhe dy librave për energjinë, mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Nëna e saj, Annie Pardo Cemo, është biologe dhe profesoreshë emeritus e Fakultetit të Shkencave në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikës. Babai i saj, Carlos Sheinbaum Yoselevitz, ishte inxhiner i kimisë. Vëllai i saj, Julio, është fizikan.

Sheinbaum është lindur në një familje hebreje sekulare në Mexico City. Gjyshërit e saj nga babai kishin emigruar nga Lituania për në kryeqytetin meksikan në vitet e 20-a të shekullit të kaluar, ndërsa gjyshërit nga nëna kishin emigruar nga Poldivi i Bullgarisë në vitet e dyzeta për të ikur nga Holokausti.

Lajme të ngjashme