Meksika gjen dy trupa në Lumin Rio Grande, njërin afër barrikadës së vendosur nga Teksasi
Autoritetet meksikane po mundohen që të identifikojnë dy trupa që u gjetën këtë javë në Lumin Rio Grande, përfshirë një që u pa afër barrikadës që qëndron mbi ujë e që është vendosur me vendim të guverntatorit të Teksasit të ShBA-së, Greg Abbott.
Departamenti për Marrëdhënie të Jashtme i Meksikës raportoi për herë të parë të mërkurën se një trup ishte gjetur pranë barrikadës mbi ujë. Zyra e prokurorit shtetëror në Coahuila më vonë u tha mediave lokale se dy trupa ishin nxjerrë dhe se procesi i identifikimit ishte duke u zhvilluar, raporton agjencia “Associated Press”.
Departamenti fillimisht tha se një trup u gjet pranë barrikadës, pastaj, disa orë më vonë, tha se një trup tjetër ishte gjetur rreth pesë kilometra në një pjesë tjetër të lumit, larg barrikadës. Për asnjërin rast nuk dihen shkaqet e vdekjes.
Autoritetet meksikane thanë se kishin paralajmëruar për rreziqet që i paraqet barrikada mbi lumë dhe kanë pretenduar se ajo i shkel traktatet për përdorimin e lumit dhe sovranitetin e Meksikës.
“Ne e bëmë të qartë shqetësimin tonë për ndikimin ndaj sigurisë së imigrantëve dhe të drejtave të njeriut që do ta kishin këto politika shtetërore”- thuhet në një deklaratë të Departamentit për Marrëdhënie të Jashtme.
Barrikada në lumë u vendos muajin e kaluar dhe shtrihet në një gjatësi sa përafërsisht tri fusha futbolli. Qëllimi i saj është që ta bëjë më të vështirë kalimin e imigrantëve mbi pengesë ose nën të.
Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara e ka paditur guvernatorin e Teksasit për vendosjen e barrikadës mbi lumin kufitar. Në padinë e paraqitur të hënën kërkohet që një gjykatë ta detyrojë Teksasin për ta larguar barrikadën. Administrata e presidentit Joe Biden ka thënë se kjo barrikadë ngre shqetësime humanitare e mjedisore.
