Meksika i ankohet ShBA-së për barrierën në Lumin Rio Grande, do ta inspektojë kufirin për shkelje të mundshme
Kryediplomatja e Meksikës tha të premten se vendi i saj i ka dërguar një shkresë diplomatike qeverisë amerikane për ta shprehur shqetësimin se vendosja e një barriere mbi ujin e Lumit Rio Grande mund t’i shkelë traktatet e viteve 1944 dhe 1970 për kufijtë dhe ujin.
Sekretarja e Marrëdhënieve të Jashtme e Meksikës, Alicia Barcena, tha se ky shtet do të dërgojë një ekip inspektues te Lumi Rio Grande për të parë nëse ndonjë pjesë e barrierës ndodhet në anën meksikane të lumit kufitar, raporton agjencia “Associated Press”.
Ajo u ankua edhe për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të vendosur tela me gjemba në një ishull të këtij lumi afër Teksasit.
Barcena tha se nëse bovat e pengojnë rrjedhjen e ujit, kjo d t’i shkilte traktatet me të cilat kërkohet që lumi të mbetet i papenguar. Meksika tashmë ka kërkuar që pengesat të largohen.
Autoritetet në Teksas e filluan vendosjen e barrierës mbi Lumin Rio Grande në fillim të korrikut. Ajo është pjesë e planit miliardësh të guvernatorit republikan, Greg Abbott, për ta siguruar kufirin ShBA – Meksikë. Në planin e tij përfshihen edhe dërgimi i emigrantëve në shtete amerikane liberale dhe autorizimi i Gardës Kombëtare për të bërë arrestime.
Mbrojtësit e emigrantëve kanë shprehur shqetësim për rrezikun e mbytjes në ujë nga bovat mbi lumë, ndërsa mbrojtësit e mjedisit e kanë vënë në pikëpyetje ndikimin e kësaj barriere ndaj lumit.