Mariupoli do të izolohet që Rusia ta bëjë “filtrimin” e popullsisë, sipas një zyrtari ukrainas
Trupat ruse në Mariupol janë duke u përgatitur që t’i mbyllin të gjitha hyrjet dhe daljet në këtë qytet nga e hëna, më 18 prill, sipas një këshilltari të kryetarit të vendbanimit.
Të gjitha lëvizjet në qytetin e rrethuar do të ndalohen për ta kryer procesin e filtrimit në mesin e popullsisë së gjinisë mashkullore, pretendoi Petro Andriushchenko, këshilltar i kryetarit të qytetit.
“Pushtuesit raportojnë se, të hënën, jo vetëm që më në fund do t’i mbyllin të gjitha hyrjet dhe daljet e qytetit për secilin, por do të vendosin ndalim të lëvizjes në të gjitha lagjet për një javë”, shkroi këshilltari ukrainas në rrjetin “Telegram”.
“Gjatë kësaj kohe, 100 për qind e popullsisë mashkullore që ka mbetur në qytet do të filtrohet. Kështu, ata të gjithë do të vendosen në Novoazovsk (qytezë më afër kufirit me Rusinë). Disa do të mobilizohen në trupat pushtuese ruse, disa do të vendosen me forcë që t’i pastrojnë rrënojat, ndërsa ata që klasifikohen si të pabesueshëm, do të izolohen”, tha më tej zyrtari ukrainas.
Sipas tij, trupat ruse janë duke planifikuar që në qytet ta lejojnë vetëm qëndrimin e grave dhe burrave që do të shërbejnë për nevojat themelore.