Lufta nuk e ndal partneritetin ruso-amerikan, astronauti i NASA-s në hapësirë më kozmonautë rusë - NACIONALE

Lufta nuk e ndal partneritetin ruso-amerikan, astronauti i NASA-s në hapësirë më kozmonautë rusë

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Në një epokë të tensioneve të mëdha gjeopolitike, një kapsulë ruse ka nisur sot për në hapësirë një astronaut amerikan, duke shënuar kështu një vazhdimësi të dukshme të partneritetit ruso-amerikan në hapësirë.

Sipas CNN, anija kozmike është ngritur nga kozmodromi i famshëm Baikonur në Kazakistan, duke transportuar astronautin e NASA-s, Frank Rubio dhe kozmonautët rusë - Dmitri Petelin dhe Sergey Prokopyev - në atë që pritet të jetë një qëndrim gjashtë mujor në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Udhëtimi i sotëm në hapësirë do të jetë i pari për amerikanin Rubio, i cili do të shërbejë si inxhinier fluturimi në këtë mission.

Pas arritjes në hapësirë të Rubios dhe homologëve të tij rusë, ata do të bashkohen me astronautët e tjerë nga ShBA-të, Rusia dhe Evropa.

Stacioni hapësinor, i cili ka pasur vazhdimisht njerëz në bord që nga viti 2000, mban një bazë rrotulluese të anëtarëve të ekuipazhit për të siguruar që laboratori orbital të jetë i pajisur vazhdimisht me astronautë të mjaftueshëm për të mirëmbajtur harduerin e stacionit hapësinor, si dhe të mbajë një regjistër të gjatë me bazë në hapësirë.

Historia e dërgimit të njerëzve në dhe nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës filloi me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara që secila kishin raketat e tyre për të çuar qytetarët e tyre, ky bashkëpunim u bë një simbol i marrëdhënieve pas Luftës së Ftohtë në fund të shekullit të 20-të dhe fillim të viteve 2000. Por pas vitit 2011, kur NASA tërhoqi programin e saj Space Shuttle, kapsulat ruse Soyuz ishin opsioni i vetëm për astronautët amerikanë. Deri më tani NASA ka paguar deri në 90 milionë dollarë për vendet në një anije kozmike Soyuz.

Megjithatë, në vitin 2020, kjo ndryshoi. NASA, vite më parë, kishte përgatitur planin e saj për të lejuar kompanitë e privatizuara të marrin përsipër detyrën e transportimit të astronautëve nga dhe në stacionin hapësinor. Që nga atëherë kjo detyrë i ka takuar SpaceX të Elon Musk, duke filluar me misionin Demo-2 në 2020 dhe, së fundmi, duke u përgatitur për misionin Creë-5.

Por pas vitesh udhëtimesh të përbashkëta me automjetet ruse Soyuz përpara se SpaceX të dilte në skenë, një nga pyetjet e mëdha që u ngrit ishte nëse Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të vazhdonin t'i vendosnin astronautët e tyre krah për krah në misionet ISS.

Kjo pyetje mori përgjigje në korrik kur NASA dhe Roscosmos, konfirmuan se ndarja e vendeve në udhëtimet me raketa në stacionin hapësinor do të vazhdonte. Kozmonautët rusë tani pritet të fluturojnë në kapsulat SpaceX përveç astronautëve të NASA-s që ndajnë vendet në anijen ruse Soyuz.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë operatorët kryesorë të ISS, me të dyja vendet që kontrollojnë operacionet e përditshme.

Ndërkohë, Rubio, si shumë astronautë amerikanë para tij, udhëtoi në Rusi për t'u trajnuar me kozmonautë rusë përpara këtij misioni.

Lajme të ngjashme