AP: Ndihmat shtesë do ta ndihmojnë Ukrainën që ta shmangë humbjen – fitorja, temë tjetër
Një pako e re dhe e madhe e ndihmave ushtarake amerikane do ta ndihmojë Ukrainën që ta shmangë humbjen në luftën e saj kundër Rusisë. Fitorja do të jetë ende punë e vështirë, raporton agjencia “Associated Press”.
Armët dhe municioni i pakos 61-miliardëshe të ShBA-së me ndihma ushtarake duhet ta ndihmojë Ukrainën që t’i ngadalësojë përparimet e përgjakshme të ushtrisë ruse dhe që t’i bllokojë sulmet e saj ndaj trupave dhe civilëve. Për më tepër, pakoja do t’i blejë kohë Ukrainës – për planifikim afatgjatë për atë se si të rimerret nën kontroll një e pesta e vendit që tani është nën kontrollin e rusëve.
“Përfundimisht, kjo [pako] ia ofron Ukrainës perspektivën e qëndrimit në luftë këtë vit. Nganjëherë, në gjendje lufte thjesht duhet të qëndrosh në të. Thjesht duhet ta shmangësh rrokullisjen” – tha Michael Clarke, profesor vizitor në Kolegjin e Mbretit në Londër.
Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së e miratoi pakon të shtunën pas disa muajve vonesë nga disa republikanë që ngurrojnë për përfshirje të Shteteve të Bashkuara në konflikte të huaja. Legjislacioni u miratua nga Senati të martën, ndërsa presidenti Biden e nënshkroi, duke e shndërruar në ligj, të mërkurën.
Dallimi mund të ndihet brenda disa ditëve në vijën e frontit në lindje e në jug të Ukrainës, ku ushtria shumë më e madhe ruse ka qenë dukë marrë ngadalë territore nga forcat ukrainase me mungesë armatimi.
Miratimi i ndihmës nënkupton që Ukraina mund të jetë në gjendje që të lirojë municion artilerie nga rezervat që po harxhohen e që ka qenë duke i kursyer. Më shumë pajisje do t’i shkojnë së shpejti nga rezervat amerikane në Poloni e Gjermani dhe më vonë nga ShBA-ja.
Dërgesat e para pritet të arrijnë nga fillimi i javës së ardhshme, tha Davyd Arakhamia, deputet i partisë së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Megjithatë, deputeti opozitar, Vadym Ivchenko, anëtar i Komisionit për Siguri Kombëtare, Mbrojtje dhe Inteligjencë në Kuvendin e Ukrainës, tha se sfidat logjistike dhe burokracia mund t’i shtyjnë dërgesat në Ukrainë për dy deri në tre muaj dhe do të nevojitej edhe më shumë kohë që ato të arrijnë në vijën e frontit.
Përderisa hollësitë e dërgesave janë të dhëna të klasifikuara, nevojat më urgjente të Ukrainës janë predhat e artilerisë për t’ua ndalur përparimin forcave ruse, si dhe raketat kundërajrore për t’i mbrojtur njerëzit dhe infrastrukturën nga raketat, drobët dhe bombat./Nacionale/Nasuf Abdyli