“Llum i trashë”: Trumpi fal dy gjeldeta, por ia jep edhe një rend me fyerje ndaj rivalëve politikë
Presidenti amerikan nuk solli shumë ngazëllim feste të martën, kur mori pjesë në ceremoninë e faljes së gjeldetëve me rastin e Ditës së Falënderimeve, duke shpërndarë më shumë fyerje se vullnet të mirë në ritualin tradicional të Shtëpisë së Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Duke u tallur, ai tha se gjeldetat e falur mund të dërgoheshin në një burg famëkeq në El Salvador, që është përdorur për t’i strehuar emigrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan tha se gjeldetave duhet t’u viheshin emrat Chuck dhe Nancy – sipas politikanëve të Partisë Demokratike, Chuck Schumer dhe Nancy Pelosi – por “unë kurrë nuk do t’i falja ata njerëz”, tha Trumpi.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë pretendoi se falja e gjeldetave vitin e kaluar nga paraardhësi i tij, Joe Biden, nuk ishte e vlefshme, sepse ish-presidenti përdori nënshkrim automatik. “Ku është Hunteri” – pyeti Trumpi, duke lënë të kuptohej se i biri i Bidenit mund të ballafaqohej përsëri me rreziqe ligjore.
Më pas, presidenti amerikan e ktheu vëmendjen nga guvernatori i shtetit Illinois, J.B. Pritzker, i cili është anëtar i Partisë Demokratike dhe i cili u ka bërë rezistencë planeve të Shtëpisë së Bardhë për ta dislokuar Gardën Kombëtare në Chicago.
Trumpi tha se kishte përgatitur një shaka për guvernatoritn Pritzker, por shtoi: “Unë refuzoj që të flas për faktin se ai është një llum i trashë. Unë s’e përmend këtë.”
Të qeshura të shpërndara u dëgjuan në audiencën që po qëndronte nën qiellin evranët dhe shiun e imët në kopshtin “Rose Garden”.
Presidenti më në fund iu kthye ceremonisë, ku do të faleshin gjeldetat me emrat Gobble dhe Waddle. Megjithatë, ky i fundit nuk ishte i pranishëm, por Trumpi e vazhdoi ritualin. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve për vendndodhjen e gjeldetit tjetër.
“Gobble, vetëm dua të ta them këtë gjë – shumë të rëndësishme – je i falur pa kushte” – tha Trumpi, duke ia afruar dorën për t’ia prekur pendlat e bardha. “Kush do ta lëndonte këtë zog të bukur” – shtoi ai.
Më tej, presidenti i përdori komentet ceremoniale për të këmbëngulur se kostoja e ushqimit me rastin e Ditës së Falënderimeve ka shënuar rënie gjatë qëndrimit të tij në pushtet, edhe pse shifrat e tij janë çorientuese, thekson agjencia “Associated Press”.
Trumpi planifikon që të udhëtoj drejt jugut për në resortin e tij privat në Floridë më vonë të martën./Nacionale