Lizz Truss dha dorëheqjen, po çfarë do të ndodhë tani?
Liz Truss ka dhënë dorëheqjen si kryeministre pas vetëm 45 ditësh në pushtet, pas braktisjes së programit ekonomik të kabinetit të saj që tronditi tregun e bonove dhe ndarjet e mëdha në Partinë e saj Konservatore.
Ajo u bë kështu kryeministrja britanike me mandatin më të shkurtër në histori, shkruan BBC. Deri më tani, ai rekord mbahej nga George Canning, i cili sundoi për 119 ditë në 1827, deri në vdekjen e tij.
Zgjedhjet e reja për lidership do të përfundojnë javën e ardhshme, raporton Reuters.
Duke folur jashtë rezidencës së Downing Street, Truss pranoi se ajo nuk kishte qenë në gjendje të përmbushte premtimet që kishte bërë në përpjekjen e saj për të udhëhequr konservatorët, besimin e të cilëve ajo e kishte humbur.
"Unë e pranoj se, duke pasur parasysh situatën, nuk mund të përmbush mandatin me të cilin jam zgjedhur në Partinë Konservatore. Prandaj kam folur me Madhërinë e Tij për ta informuar atë se po largohem si lider i Partisë Konservatore", tha Truss.
"Këtë mëngjes u takova me kreun e Komitetit të vitit 1922, Sir Graham Brady. Ne ramë dakord që zgjedhja e udhëheqjes së re do të përfundojë brenda javës së ardhshme. Kjo do të sigurojë që ne të qëndrojmë në rrugën e duhur për të përmbushur planet tona fiskale dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë”, tha Truss.
Ajo u bë kryeministre në fillim të shtatorit dhe ka luftuar për mbijetesë politike që kur ministri i saj i financave Kwasi Kwarteng njoftoi një mini-buxhet me shkurtime të mëdha taksash më 23 shtator që tronditi tregjet financiare. Pas këtij njoftimi, kostoja britanike e huamarrjes u rrit, duke kërcënuar tregun e pasurive të paluajtshme dhe përkeqësim të mëtejshëm të kostos së jetesës.
Po tani?
Pasi Truss u bë kryeministri me mandatin më të shkurtër në historinë britanike, pyetja tani është se çfarë mund të ndodh.
Truss tha në fjalimin e saj të dorëheqjes se përzgjedhja e një drejtuesi të ri do të përfundonte javën e ardhshme.
Sir Keir Starmer, udhëheqësi i Partisë Laburiste, ka bërë thirrje për zgjedhje të përgjithshme të menjëhershme. Udhëheqësi i Liberal Demokratëve Sir Ed Davey iu bashkua thirrjeve. Por ka ende shumë për të bërë përpara zgjedhjeve të reja të mundshme.
Një zëvendësim konservator për Trussin është ende një opsion shumë më i mundshëm, megjithëse udhëheqësi laburist tha se "Partia Konservatore ka treguar se nuk ka më një mandat për të qeverisur". Ministri i ri i Financave Jeremy Hunt, sipas Sky News, nuk do të kandidojë për të pasuar Liz Truss.
Kush mund ta pasojë Trussin?
Por kjo është arsyeja pse rivali i saj kryesor në zgjedhjet e fundit partiake, Rishi Sunak, sinjalizoi se është shumë i gatshëm të marrë postin që Truss ka mbajtur deri më sot.
Udhëheqësja e Dhomës së Komunave, Penny Mordaunt, ka lënë të kuptohet gjithashtu se ajo është e interesuar për garën dhe një burim i afërt me Kemi Badenoch, i cili përshëndetet si ylli i ri i konservatorëve, ka sugjeruar se ajo është gjithashtu e interesuar për të pasuar Truss. Gjithashtu përmendet se në garë mund të jetë edhe Suella Braverman, e cila dje dha dorëheqjen nga posti i Ministres së Brendshme dhe është kritike e madhe e kryeministres në largim.
Edhe Boris Johnson, paraardhësi i Liz Truss, i cili gjithashtu duhej të largohej në dramën politike që pasoi pas largimit të shumicës së ministrave të tij, përmendet si pasardhës i mundshëm. Sipas informacioneve të fundit, ka gjasa që Johnson t'i bashkohet garës, por pyetja është se me çfarë shanse.
Një rrugë e vështirë drejt konsensusit, nëse çështja zvarritet, zgjedhjet janë të mundshme
Ajo që është e qartë është se përfaqësuesit duket se po nguliten edhe më shumë në kampet e liderëve të tyre brenda partisë, ndaj është e vështirë të pritet që të arrihet lehtësisht një konsensus.
Konservatorët do të jenë nën presion të madh për ta zgjidhur këtë situatë shpejt dhe pa probleme, dhe nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, thirrjet për zgjedhje të përgjithshme mund të bëhen shumë të forta për konservatorët që duan ta shmangin ato.
Tashmë në radhët e konservatorëve po flitet për zgjedhjet. "Nëse nuk mund të mblidhemi rreth një kryeministri të ri dhe një ekipi për të na udhëhequr, ne po shkojmë në zgjedhje të përgjithshme", tha deputeti konservator Andrew Bridgen.
Pas dorëheqjes së Truss, Sky News foli me një burim të lartë konservator, i cili përshkroi se si mund të luhej gara për të pasuar Liz Truss.
Ai tha se tani për tani gjithçka është e pasigurt, por ka mundësi që deri të hënën të mbërrijnë nominimet që kërkojnë më shumë se 50 vota. Raundi përfundimtar mund të përshpejtohet - me mundësinë që deputetët të votojnë për dy ose tre kandidatët përfundimtarë, tha burimi.
Konservatori i njohur Graham Brady tha se zgjedhjet mund të përfundojnë të premten, më 28 tetor dhe një kryeministër i ri mund të jetë në funksion deri më 31 tetor. /Nacionale/