Liderit çeçen i vjedhin kalin, policia çeke vihet në kërkim
Policia në Republikën Çeke është duke kërkuar informacion mbi një kalë gare të vjedhur që dyshohet se i përket liderit çeçen, aleatit të Putinit, Ramzan Kadyrov.
BBC shkruan se Zazou, një racë e pastër e kuajve, me vlerë rreth 20,000 dollarë, është zhdukur mes mbrëmjes të së premtes dhe mëngjesit të së shtunës.
Thuhet se Zazou është një nga dy kuajt e Kadyrov që ndodhen ende në stallë në Republikën Çeke, ndërsa janë vënë nën sanksione pas ankesimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Kujtojmë se Ramzan Kadyrov është një aleat i fortë i Vladimir Putinit, megjithëse së fundmi ai ka kritikuar udhëheqjen ushtarake ruse për luftën në Ukrainë.
Ndërkohë, në një deklaratë të dhënë policia çeke, ka njoftuar se kali i Kayrov ishte zhdukur nga një fermë në Pragë.
Deklarata thoshte se një zinxhir që siguronte dyert rrëshqitëse në stallë ishte hequr dhe kali ishte marrë.
Ata kanë bërë thirrje për çdo informacion mbi vendndodhjen e Zazou, duke shpërndarë foto të tij.

Sipas sanksioneve të Bashkimit Evropian, çdo para nga garat ku do të garonte kali i Kadyrov, do të shkonte për mirëmbajtjen e kuajve, por pjesa tjetër është ngrirë - një veprim që ka zemëruar Kadyrov.
"Çfarë mund të themi për të drejtat e njeriut në Perëndim, nëse ata shkelin në mënyrë të vrazhdë të drejtat e kuajve, kafshëve më paqësore, të sjellshme dhe të buta në botë?"- ka pyetur Kadyrov në faqen e tij në Facebook, në komente të raportuara nga Moscow Times.
