Libani raporton për dy të vrarë nga sulmet izraelite pavarësisht armëpushimit
Të paktën dy njerëz u vranë të hënën nga sulmet izraelite në jug të Libanit, thanë autoritetet libaneze, përderisa armëpushimi me të cilin u është dhënë fund armiqësive që nisën para më shumë se një viti mes Izraelit e Hezbollahut po dukej gjithnjë më i brishtë.
Sipas armëpushimit, që ka hyrë në fuqi të mërkurën, Izraeli nuk do të kryejë operacione ofensive ushtarake kundër caqeve civile, ushtarake ose caqeve të tjera shtetërore në Liban, ndërsa Libani do të ndalojë secilin grup të armatosur, përfshirë Hezbollahun, nga kryerja e operacioneve kundër Izraelit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Libani e Izraeli tashmë kanë shkëmbyer akuza për shkeljen e armëpushimit, ndërsa të hënën Libani tha se shkeljet ishin shndërruar në vdekjeprurëse.
Një person u vra nga një sulm ajror izraelit ndaj qytezës jugore libaneze, Marjayoun, rreth dhjetë kilometra larg kufirit me Izraelin, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit.
Siguria shtetërore e Libanit tha se një sulm izraelit me dron kishte vrarë një anëtar të forcës së saj, përderisa ai ishte në detyrë në Nabatieh, 12 kilometra larg kufirit. Siguria shtetërore e cilësoi këtë rast “shkelje flagrante” të armëpushimit.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga zyrtarët izraelitë.
Transmetuesi publik izraelit, “Kan TV”, dhe media të tjera izraelite thanë të hënën se emisari amerikan, Amos Hochstein, i cili kishte ndërmjetësuar për armëpushimin pas disa javëve punë diplomatike, e kishte paralajmëruar Izraelin kundër shkeljeve të pretenduara të marrëveshjes.
Qeveria e Izraelit nuk i komentoi menjëherë raportimet./Nacionale