Laureati rus i Nobelit për Paqe kritikon 'luftën e çmendur dhe kriminale' të Putinit - NACIONALE

Laureati rus i Nobelit për Paqe kritikon 'luftën e çmendur dhe kriminale' të Putinit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Laureati rus i Çmimit Nobel për Paqen, Yan Rachinsky, gjatë fjalimit të tij të pranimit të çmimit në kryeqytetin norvegjez Oslo, ka kritikuar luftën "e çmendur dhe kriminale" të presidentit Vladimir Putin kundër Ukrainës.

Rachinsky, nga organizata ruse për të drejtat e njeriut Memorial, pretendoi se rezistenca ndaj Rusisë njihet si "fashizëm" nën Putin, duke shtuar se kjo është bërë "justifikim ideologjik për luftën e çmendur dhe kriminale të agresionit kundër Ukrainës".

Memorial, një nga grupet më të njohura dhe më të respektuara të të drejtave të njeriut në Rusi, ka punuar për të ekspozuar abuzimet dhe mizoritë e epokës staliniste për më shumë se tre dekada përpara se kjo organizatë të mbyllej vitin e kaluar nga Gjykata e Lartë e vendit.

Ndërkohë, edhe laureatja ukrainase e Çmimit Nobel për Paqen, Oleksandra Matviichuk, bëri thirrje për një gjykatë ndërkombëtare ndaj Putinit dhe aleatit të tij bjellorus, Alexander Lukashenko.

Matviichuk, e cila pranoi çmimin në emër të organizatës së saj për të drejtat e njeriut, Qendra për Liritë Civile në Ukrainë, tha se kjo do të ishte një mënyrë për të "siguruar drejtësi për ata që janë prekur nga lufta".

Grupet e të drejtave të njeriut nga Rusia dhe Ukraina – Memorial dhe Qendra për Liritë Civile – pranuan zyrtarisht Çmimi Nobel për Paqe për vitin 2022 të shtunën, së bashku me avokatin bjellorus të burgosur Ales Bialiatski. Në emër të këtij të fundit, çmimin e pranoi gruaja e tij.

Tre fituesit do të ndajnë çmimin prej 10,000,000 kronash suedeze (900,000 dollarë). Ata u nderuan për "një përpjekje të jashtëzakonshme për të dokumentuar krimet e luftës, abuzimet e të drejtave të njeriut dhe abuzimin e pushtetit" në vendet e tyre përkatëse.

Lajme të ngjashme