Mbrojtësit e të drejtave të njeriut nga Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia, fitues të Çmimit Nobel për Paqe - NACIONALE

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut nga Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia, fitues të Çmimit Nobel për Paqe

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Grupet e të drejtave të njeriut nga Rusia dhe Ukraina – Memorial dhe Qendra për Liritë Civile – kanë fituar Çmimin Nobel për Paqe, për vitin 2022, së bashku me avokatin bjellorus të burgosur Ales Bialiatski.

Laureatët e rinj u nderuan për "një përpjekje të jashtëzakonshme për të dokumentuar krimet e luftës, abuzimet e të drejtave të njeriut dhe abuzimin e pushtetit" në vendet e tyre përkatëse.

Ata kanë promovuar për shumë vite të drejtën për të kritikuar pushtetin dhe për të mbrojtur të drejtat themelore të qytetarëve”, tha Komiteti Norvegjez i Nobelit.

Fitorja e tyre vjen shtatë muaj pasi Rusia nisi një luftë në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, me ndihmën e Bjellorusisë.

Komiteti tha se, grupi ukrainas, Qendra për Liritë Civile, është "angazhuar në përpjekjet për të identifikuar dhe dokumentuar krimet e luftës ruse kundër popullsisë civile ukrainase që nga fillimi i pushtimit në shkurt”.

Memorial i Rusisë, u themelua në vitin 1987 dhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik, u bë një nga mbikëqyrësit më të shquar të të drejtave të njeriut në Rusi. Grupi ka punuar për të ekspozuar abuzimet dhe mizoritë e epokës staliniste. Megjithatë, ky grup vitin e kaluar është mbyllur nga gjykatat ruse.

Ndërkohë, avokati bjellorus Bialiatski, ka dokumentuar abuzimet e të drejtave të njeriut në Bjellorusi që nga vitet 1980. Ai themeloi organizatën “Viasna”, ose Pranvera, në vitin 1996 pas një referendumi që konsolidoi fuqitë autoritare të presidentit dhe aleatit të ngushtë të Rusisë, Alexander Lukashenko.

Aktivisti u arrestua në vitin 2020 mes protestave të përhapura kundër regjimit të Lukashenkos.

Komiteti tha se, “ai është ende i burgosur pa gjyq,” duke shtuar se, “pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme personale, Bialiatski nuk është dorëzuar asnjëherë në luftën e tij për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Bjellorusi”.

Kryetarja e Komitetit, Berit Reiss-Andersen tha se çmimi nuk synon t'i dërgojë një mesazh presidentit rus Vladimir Putin ose ndonjë individi tjetër, por ajo shtoi se ai përfaqëson "një qeveri autoritare që po shtyp aktivistët e të drejtave të njeriut".

Tre fituesit do të ndajnë çmimin prej 10,000,000 kronash suedeze (900,000 dollarë). ndërsa Çmimet Nobel do t'u jepen zyrtarisht laureatëve në një ceremoni që do të mbahet më 10 dhjetor, përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit.

Lajme të ngjashme