Kthehet qetësia në kufirin Tajlandë – Kamboxhia, komandantët zhvillojnë bisedime - NACIONALE

Kthehet qetësia në kufirin Tajlandë – Kamboxhia, komandantët zhvillojnë bisedime

1 vit më parë

nga NACIONALE

Komandantë ushtarakë nga Tajlanda dhe Kamboxhia mbajtën bisedime të martën, ndërsa qetësia u rikthye në kufirin e kontestuar mes dy vendeve dhe banorët e zhvendosur filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre, pasi dy fqinjët e Azisë Juglindore e njoftuan arritjen e armëpushimit me të cilin iu dha fund luftimeve 5-ditore.

Udhëheqësit politikë të të dyja vendeve u takuan të hënën në Malajzi, ku arritën marrëveshje armëpushimi për ta ndalur konfliktin e tyre më vdekjeprurës në më shumë se një dekadë, nga i cili kanë mbetur të vrarë të paktën 40 njerëz, shumica civilë, dhe janë zhvendosur mbi 300 mijë të tjerë në të dyja shtetet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Edhe pse ushtria e Tajlandës tha se ka pasur sulme nga trupat kamboxhiane në të paktën pesë lokacione të martën herët, duke e shkelur armëpushimin që kishte hyrë në fuqi nga mesnata, komandantët e të dyja palëve u takuan dhe zhvilluan bisedime, tha një zëdhënës i ushtrisë tajlandeze.

Kamboxhia e mohoi akuzën, duke këmbëngulur se trupat e saj e kanë respektuar në mënyrë të prerë armëpushimin që nga mesnata dhe kanë vazhduar që ta mbajnë atë, sipas një deklarate të ministrit të Mbrojtjes, Tea Seiha.

Në bisedime deri më tani përfshihen negociatat mes gjeneralit që e drejton ushtrinë e dytë rajonale të Tajlandës, e cila e mbikëqyr brezin kufitar ku kanë ndodhur luftimet më të ashpra gjatë konfliktit, dhe homologut të tij kamboxhian, iu tha gazetarëve Gjeneral Major Winthai Suvaree i Tajlandës.

Komandantët, të cilët u takuan në kufi, u pajtuan për ta mbajtur armëpushimin, për të ndalur çfarëdo lëvizjeje të trupave dhe për ta lehtësuar kthimin e të plagosurve dhe trupave të pajetë, shtoi ai.

Në Bangkok, kryeministri në detyrë i Tajlandës, Phumtham Wechayachai, tha se qeveria e tij kishte paraqitur ankesë te Malajzia, Shtetet e Bashkuara dhe Kina për shkeljet e pretenduara të armëpushimit nga Kamboxhia, por se qetësia ishte rikthyer në zonat kufitare./Nacionale

Lajme të ngjashme