Kryeministrit bullgar i duhen shtatë deputetë për ta shpëtuar qeverinë - NACIONALE

Kryeministrit bullgar i duhen shtatë deputetë për ta shpëtuar qeverinë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov po përpiqet të bindë shtatë deputetë jashtë koalicionit qeverisës që ta mbështesin atë për të shpëtuar qeverinë e tij pasi partia populiste "Ka njerëz të tillë" njoftoi tërheqjen e saj.

Javën e kaluar, partia populiste "Ka njerëz të tillë" njoftoi se po tërhiqej nga qeveria dhe grupi i saj parlamentar filloi të shpërbëhej. Gjashtë persona nga partia njoftuan se janë në anën e Petkovit, por ai shpreson për më shumë.

Kryeministri duhet të gjejë shtatë deputetë të tjerë për të marrë një shumicë minimale prej 121 votash në parlament. Nëse ky mision ka sukses, Bullgaria do të qeveriset nga një përzierje komplekse e një koalicioni të dy partive pro-evropiane dhe një pro-ruse, socialistët, plus disa deputetë të pavarur.

Petkov komentoi se koalicioni qeverisës po i përqendron përpjekjet e tij në gjetjen e "deputetëve të guximshëm" për të siguruar shumicën.

“Ne nuk do të shkelim parimet tona. Ne nuk jemi vetëm, ka njerëz të tjerë të guximshëm në parlament që qëndrojnë pas idesë se ne nuk jemi të kënaqur me Bullgarinë në formën e saj aktuale. T’i përvishemi punës së bashku. Tani na duhen edhe shtatë trima nga Kuvendi Kombëtar që të përmbushin betimin dhe ta vënë Bullgarinë para interesave të tyre personale”, tha ai.

“Të gjithë ata që kanë vjedhur vendin deri tani do të dorëzohen në prokurori. Ky është grupi i njerëzve që çdo ditë mendojnë se si të rrëzojnë qeverinë. Grupi i dytë i njerëzve janë të lidhur me fitimet e gazit, të cilat tashmë po mbarojnë. Edhe këta njerëz do të ishin të lumtur nëse nuk do të ekzistonte kjo qeveri”, tha Petkov.

Sipas Petkov, nëse Bullgaria hyn në zgjedhje të reja, do të ishte katastrofike për vendin dhe humbje kohe. Në vitin 2021, bullgarët votuan tre herë në zgjedhjet parlamentare derisa u arrit koalicioni aktual. Rezultatet e sondazheve tregojnë se shumica e bullgarëve nuk duan zgjedhje të reja.

“Jemi fokusuar që të kemi 121 deputetë që nuk janë të varur, askush të mos e ndalë ndryshimin në komisionin kundër korrupsionit, askush të mos e ndalojë buxhetin”, tha Petkov.

Kriza politike ka edhe një kosto të lartë ekonomike. Nëse Bullgaria nuk arrin të amendojë 22 ligje deri në fund të vitit, pagesa prej 6 miliardë eurosh nga Plani i Rimëkëmbjes do të bllokohet.

Lajme të ngjashme