Kryeministri i ri sirian: Është koha që ky popull t’i shijojë stabilitetin dhe qetësinë
Kryeministri i ri i përkohshëm i Sirisë, Mohammad al-Bashir, tha të martën se është koha për stabilitet dhe qetësi në vend, dy ditë pasi presidenti Bashar al-Assad u rrëzua nga rebelët përmes një ofensive të shpejtë.
Rebelët e emëruan al-Bashirin si udhëheqës të përkohshëm të qeverisë për ta drejtuar vendin deri më 1 mars, thuhet në një deklaratë, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Tani është koha që ky popull t’i shijojë stabilitetin dhe qetësinë” – i tha ai televizionit “Al Jazeera” në intervistën e tij të parë që nga emërimi në detyrën e re.
Përderisa ai fliste – në prapavijë qëndronin dy flamuj – flamuri gjelbër, bardh e zi, që është përdorur nga kundërshtarët e Assadit gjatë luftës civile, dhe flamuri i bardhë me betimin islam të besnikërisë, me shkronja të zeza, që përdoret nga luftëtarët islamikë sunitë.
Bashiri është figurë pak e njohur në pjesën më të madhe të Sirisë. Në një faqe të administratës së rebelëve në rrjetin “Facebook” thuhet se ai është i trajnuar për inxhinieri elektrike, ndërsa më vonë ka marrë diplomë për sheriat dhe ligj dhe ka mbajtur poste në disa fusha, përfshirë arsimin.
“Ne jemi ngarkuar nga komanda e përgjithshme me detyrën e menaxhimit të punëve të qeverisë siriane gjatë një periudhe kalimtare” – tha Bashiri në një deklaratë pas takimit në Damask. Ai shtoi se shpreson që ministrat në ish-qeverinë siriane do ta ndihmojnë kabinetin e ri gjatë kësaj periudhe kalimtare.
Të martën, udhëheqësi i grupit kryesor të rebelëve, Abu Mohammed al-Jolani, u mundua që ta largonte frikën për atë se si do të qeveriset Siria, duke i thënë televizionit britanik “Sky News” se vendi është “i dërrmuar” nga lufta dhe nuk do të kthehet në të.
“Siria do të rindërtohet… Vendi është duke lëvizur drejt zhvillimit dhe rindërtimit. Po shkon drejt stabilitetit” – tha ai.