Kryeministri grek: Përplasja e trenave ndodhi për shkak të një gabimi tragjik njerëzor - NACIONALE

Kryeministri grek: Përplasja e trenave ndodhi për shkak të një gabimi tragjik njerëzor

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas përplasjes kokë më kokë të dy trenave në Greqi, ku mbetën të vdekur 40 persona e më shumë se 85 të lënduar, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka thënë se arsyeja e përplasjes ishte një “gabim njerëzor”.

Në një fjalim televiziv ai është shprehur me fjalët se: “Gjithçka tregon se drama ishte, fatkeqësisht, kryesisht për shkak të një gabimi tragjik njerëzor”.

Mitsotakis më tej ka shtuar se përplasja "do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë kolektive", duke shtuar se ishte e paprecedentë në historinë e vendit.

Kryeministri po ashtu ka falënderuar reaguesit e parë, përfshirë zjarrfikësit, shpëtimtarët, anëtarët e sistemit shëndetësor, policinë dhe zyrtarët lokalë, ndërsa ka premtuar që do të kryhet një hetim i pavarur mbi rastin tragjik.

“Drejtësia do të bëjë punën e saj. Njerëzit do të mbajnë përgjegjësi, ndërsa shteti do të jetë në krah të popullit,”- është shprehur ai, duke i kërkuar publikut “të qëndrojnë të bashkuar gjatë kësaj tragjedie”.

Kujtojmë se pak më parë, ka dhënë dorëheqje edhe ministri grek i Transportit Kostas Karamanlis.

Në një deklaratë të dhënë ai ka thënë se dorëheqja ishte detyra e tij dhe "më e pakta që mund të bënte për të nderuar kujtimin e viktimave", duke shtuar se po merrte përgjegjësinë për "dështimet e shtetit".

Aksidenti ka ndodhur gjatë natës, me disa vagonë të dalë nga binarët ku të paktën tre prej tyre ishin kapluar nga zjarri.

Sipas Associated Press, të mbijetuarit kanë thënë se disa udhëtarë kanë rënë nga dritaret e vagonëve si pasojë e përplasjes, ndërsa është shtuar se njerëzit kanë qenë shumë të frikësuar e çorientuar.

Trenat u përplasën afër një gryke që e ndan rajonin e Thesalisë me atë të Maqedonisë në Greqi. Ndërsa, Costas Agorastos, guvernator i Thesalisë, tha për një televizion grek se trenat janë përplasur kokë më kokë dhe në shpejtësi të lartë.

“Vagoni i parë dhe ai i dytë nuk ekzistojnë më, ndërsa i treti ka dalë nga binarët,”- ka njoftuar ai.

Lajme të ngjashme