Përplasja vdekjeprurëse e trenave në Greqi, jep dorëheqje ministri i Transportit - NACIONALE

Përplasja vdekjeprurëse e trenave në Greqi, jep dorëheqje ministri i Transportit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas një përplasje të trenave në Greqinë qendërore ku mbetën të vdekur të paktën 40 persona, ministri grek i Transportit Kostas Karamanlis ka paraqitur dorëheqjen e tij.

Në një deklaratë të dhënë ai ka thënë se dorëheqja ishte detyra e tij dhe "më e pakta që mund të bënte për të nderuar kujtimin e viktimave", duke shtuar se po merrte përgjegjësinë për "dështimet e shtetit".

Është bërë e ditur se një tren udhëtarësh, i mbushur me qindra njerëz, është përplasur me një tren të shpejtë të mallrave në pjesën veriore të Greqisë, duke lënë 40 të vdekur e të paktën 85 të lënduar.

Aksidenti ka ndodhur gjatë natës, me disa vagonë të dalë nga binarët ku të paktën tre prej tyre ishin kapluar nga zjarri.

Sipas Associated Press, të mbijetuarit kanë thënë se disa udhëtarë kanë rënë nga dritaret e vagonëve si pasojë e përplasjes, ndërsa është shtuar se njerëzit kanë qenë shumë të frikësuar e çorientuar.

Trenat u përplasën afër një gryke që e ndan rajonin e Thesalisë me atë të Maqedonisë në Greqi. Ndërsa, Costas Agorastos, guvernator i Thesalisë, tha për një televizion grek se trenat janë përplasur kokë më kokë dhe në shpejtësi të lartë.

“Vagoni i parë dhe ai i dytë nuk ekzistojnë më, ndërsa i treti ka dalë nga binarët,”- ka njoftuar ai.

Lajme të ngjashme