Dy trena përplasen mes vete në Greqi, 40 të vdekur
Një tren udhëtarësh, i mbushur me qindra njerëz, është përplasur me një tren të shpejtë të mallrave në pjesën veriore të Greqisë. Raportohet për 40 të vdekur e të paktën 85 të lënduar.
Disa vagonë dolën nga binarët dhe të paktën tre prej tyre u kapluan nga zjarri pak para mesnatës. Ekipet e shpëtimit përdorën ndriçim para agimit të mërkurën për të kërkuar të mbijetuar.
Të mbijetuarit thanë se disa udhëtarë kanë rënë nga dritaret e vagonëve si pasojë e përplasjes. “Kishte shumë pjesë të çelikut. Trenat ishin plotësisht të shkatërruar, edhe treni i udhëtarëve, edhe ai i mallrave”- tha Vassilis Polyzos, banor lokal që ishte ndër të parët në vendin e ngjarjes, raporton agjencia "Associated Press".
Ai shtoi se njerëzit e trullosur e të çorientuar po dilnin nga vagonët, kur ai arriti në vendin e ngjarjes. “Njerëzit, natyrisht, ishin të frikësuar, shumë të frikësuar. Po shikonin përreth, duke kërkuar. Nuk e dinin se ku ishin”- tha banori lokal.
Trenat u përplasën afër një gryke që e ndan rajonin e Thesalisë me atë të Maqedonisë në Greqi. Costas Agorastos, guvernator i Thesalisë, tha për një televizion grek se trenat janë përplasur kokë më kokë dhe në shpejtësi të lartë.
“Vagoni i parë dhe ai i dytë nuk ekzistojnë më, ndërsa i treti ka dalë nga binarët”- tha ai.
Punëtorët e ekipeve të shpëtimit, me bateri në koka, punuan nëpër tym të dendur për të kërkuar njerëz, duke larguar copa të metalit nga vagonët. Disa të tjerë kërkuan nëpër fushën ku ishin rrokullisur vagonët. Disa prej të vdekurve besohet se jan gjetur në zonën e restorantit të trenit, afër pjesës së përparme të tij.
Zyrtarët e një spitali në qytetin Larissa thanë se të paktën 25 persona kanë pësuar lëndime serioze.
“Procesi i evakuimit është duke vazhduar dhe po kryhet nën kushte shumë të vështira për shkak të ashpërsisë së përplasjes mes dy trenave”- tha Vassilis Varthakoyiannis, zëdhënës i shërbimit të zjarrfikësve.