Kryediplomati i Polonisë tallet me Muskun, pasi ky u përplas me Trumpin
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, u tall të enjten vonë në rrjete sociale me miliarderin amerikan, Elon Musk, pasi ky u përfshi në një përplasje nga distanca me presidentin amerikan, Donald Trump.
Kryediplomati polak shkroi disa fjalë për shefin e kompanisë “Tesla” pasi në mars ishte përplasur me të për një çështje që lidhej me Ukrainën, raporton agjencia e lajmeve "Reuters".
Ministri polak ishte grindur virtualisht me Muskun dhe me sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, në mars të këtij viti, pasi ai kishte thënë se Ukrainës mund t’i duhet një alternativë për shërbimin e internetit satelitor, “Starlink”.
Në mesin e një vargu të shkrimeve të publikuara në rrjetin social X, Musku i kishte thënë Sirkoskit: “Hesht, njeri i vogël.”
Të enjten, tensionet në rritje mes Muskut dhe Trumpit shpërthyen në një përplasje publike, pasi presidenti amerikan kërcënoi me ndërprerjen e kontratave qeveritare me kompanitë që drejtohen nga njeriu më i pasur në botë.
Në anën tjetër, Musku la të kuptohej se Trumpi duhet të hetohet.
Pas përplasjes mes dy amerikanëve, ministri i Jashtëm i Polonisëm, duke iu referuar Muskut, në rrjetin X shkroi: “A po e sheh, njeri i madh, politika është më e vështirë sesa që mendove ti.”
See, big man, politics is harder than you thought. https://t.co/2QMoCCPSgG
— Radosław Sikorski 🇵🇱🇪🇺 (@sikorskiradek) June 5, 2025