Kremlini mohon se Putini ka biseduar me Trumpin - NACIONALE

Kremlini mohon se Putini ka biseduar me Trumpin

3 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Kremlini i ka mohuar raportimet se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin, ditëve të fundit dhe ka thënë se Putini nuk ka plane konkrete për të biseduar me Trumpin.

Gazeta “The Washington Post” raportoi e para se telefonata mes dy krerëve ishte zhvilluar, duke cituar burime të paidentifikuara, dhe tha se Trumpi i kishte thënë Putinit që ai nuk duhet ta eskalojë luftën në Ukrainë. Edhe agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi për telefonatën, duke cituar një burim të paidentifikuar.

“Kjo është tërësisht e pavërtetë. Ky është trillim i pastër, është thjesht informatë e rreme. Nuk pati bisedë” – tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton gazeta "The Guardian".

“Ky është shembulli më i qartë i cilësisë së informatave që po publikohen tani, nganjëherë madje në publikime me mjaft reputacion” – shtoi ai.

Kur u pyet nëse Putini kishte plane për ndonjë kontakt me Trumpin, Peskovi tha: “Nuk ka plane konkrete akoma.”

Gazeta amerikane raportoi se Trumpi ia kishte rikujtuar Putinit “praninë e madhe ushtarake të Uashingtonit në Evropë”, duke shtuar se Trumpi kishte shprehur interesim për biseda pasuese për “zgjidhjen e luftës së Ukrainës së shpejti”.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trumpi ka thënë se do të gjejë një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës “brenda një dite”, por nuk ka shpjeguar se si do ta bëjë këtë.

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës ndihma ushtarake dhe ekonomike me vlerë të dhjetëra miliarda dollarëve që nga fillimi i sulmeve ruse në shkurt të vitit 2022, fonde që Trumpi vazhdimisht i ka kritikuar dhe ka dalë kundër, bashkë me ligjvënës të tjerë republikanë.

Peskovi gjithashtu i akuzoi udhëheqësit evropianë se po vazhdojnë të synojnë një “humbje strategjike” të Rusisë. Ai po përgjigjej në një pyetje për mundësinë që Britania ta lejojë Ukrainën që të përdorë raketa me rreze të gjatë “Storm Shadow” për të goditur caqe brenda Rusisë – diçka për të cilën ai tha se nuk mund të përjashtohej./Nacionale

Lajme të ngjashme