Konferenca e Putinit e Starlink i Musk – zhvillimet kyçe të ditës nga konflikti Rusi-Ukrainë
Përderisa lufta Ukrainë-Rusi është duke vazhduar, presidenti rus Vladimir Putin përmes një konference shtypi ka dhënë disa përgjigje në lidhje me situatën. Ai ka folur para gazetarëve për luftën, qëndrimin e Gjermanisë, aleatëve të tij, NATO-n e për bisedime të mundshme me Biden.
Në vazhdim mund t'i gjeni të përmbledhura shkurtimisht të gjitha zhvillimet që shënuan ditën e sotme.
- Është raportuar se nëndetëse ruse është parë në brigjet franceze dhe është shoqëruar nga marina franceze.
- Bjellorusia ka thënë se trupat ruse do të fillojnë të mbërrijnë në vend në ditët në vijim si pjesë e forcës së saj të përbashkët.
- Në fjalën e tij para gazetarëve, Vladimir Putin tha se besonte që "mobilizimi i pjesshëm" i rezervistëve të ushtrisë i urdhëruar muajin e kaluar do të përfundonte brenda dy javësh, duke rritur forcën luftarake të Rusisë.
- Presidenti rus po ashtu ka bërë thirrje për mbyllje të korridoreve humanitare për grurin ukrainas, nëse ato përdoren për “akte terrori”.
- Putin ka thënë se duke zgjedhur NATO-n, Gjermania është duke mbajtur anën e gabuar, dhe këtë gabim po e paguajnë qytetarët dhe ekonomia e vendit.
- I pyetur për bisedime të mundshme me presidentin amerikan Joe Biden, Putin ka thënë se për momentin nuk e sheh të nevojshme një gjë të tillë.
- Presidenti rus po ashtu ka paralajmëruar se një përplasje e mundshme me NATO-n do të çonte në një “katastrofë globale”.
- Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, ka njoftuar se ShBA dhe Gjermania do të dorëzojnë sisteme të sofistikuara kundërajrore në Kiev këtë muaj për të kundërshtuar sulmet nga raketat ruse dhe dronët kamikazë.
- Një anëtar ukrainas i këshillit rajonal të Khersonit ka dënuar "evakuimin" e Rusisë të qytetit të pushtuar, duke thënë se në fakt është një "deportim".
- Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i është përgjigjur kritikave nga qeveria ukrainase duke bërë thirrje për "qasje të menjëhershme dhe të papenguar" për të gjithë të burgosurit e luftës.
- SpaceX i Elon Musk ka thënë se nuk do të mund të paguajë më për shërbimet kritike satelitore në Ukrainë, të cilat i ka etiketuar ekskluzive.

