Komandanti i ushtrisë ukrainase merr disa vendime pas rënies së Vuhledarit
Komandanti i ushtrisë ukrainase, Gjeneral Oleksandr Syrskyi, tha të enjten se kishte dhënë urdhër për përforcimin e mbrojtjes në rajonin lindor të Donetskut, një ditë pasi forcat e tij njoftuan se ishin tërhequr nga qyteza Vuhledar.
Trupat ruse po lëvizin vazhdimisht përpara në sektorë të ndryshëm në lindje të Ukrainës, pavarësisht nga sulmi i befasishëm i forcave ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë në gusht, me të cilin shpresohej se do të ngadalësohej përparimi i armikut.
Syrskyi tha në rrjete sociale se po punonte në “njërin nga sektorët më të nxehtë të frontit” me Brigadën e 25-të të Parashutistëve “Sicheslav”, raporton agjencia “Reuters”.
Ai nuk dha hollësi për vendin e saktë, por brigada në fjalë operon në fronin e Pokrovskut, zonë e sulmeve të intensifikuara ruse.
“Gjatë punës në brigadë, unë mora një numër vendimesh me qëllim të fuqizimit të stabilitetit dhe efikasitetit të mbrojtjes sonë” – shtoi komandanti ukrainas.
Më shumë se dy vjet e gjysmë pas fillimit të luftës së plotë, trupat ukrainase janë në mbrojtje. Ushtria ukrainase njoftoi të mërkurën për tërheqjen e trupave nga qyteza Vuhledar, bastion që shtrihet në terren të lartë dhe që u kishte rezistuar sulmeve intensive pas fillimit të pushtimit rus.
Komanda ushtarake lindore e Ukrainës tha të mërkurën se kishte urdhëruar tërheqje nga Vuhledari për ta shmangur rrethimin nga trupat ruse dhe për t’i “ruajtur personelin dhe pajisjet ushtarake”. Rusia e ka përdorur gjerësisht këtë taktikë për ta siguruar kontrollin e vendbanimeve ukrainase.
Në raportin ditor për situatën në fushën e betejës, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se gjatë 24 orëve të kaluara ishin regjistruar 142 përleshje ushtarake. Shumica prej tyre ndodhën në frontin e Pokrovskut – 29 – dhe në frontin e Kurakhoves – 27./Nacionale