Këshilltari i Zelenskyt: Na duhen më pak analiza për rrjedhjen, më shumë armë me rreze të gjatë - NACIONALE

Këshilltari i Zelenskyt: Na duhen më pak analiza për rrjedhjen, më shumë armë me rreze të gjatë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, ka thënë se Ukraina ka nevojë për më shumë armë me rreze të gjatë e më pak përsiatje për rrjedhjen, duke iu referuar rrjedhjes së dokumenteve të klasifikuara të Pentagonit.

“Nëse do të kishim kohë, do të mund ta shihnim Federatën Ruse duke u shkapërderdhur dhe “elitat” e saj duke e gëlltitur njëra-tjetrën. Por nuk e kemi atë, sepse njerëzit tanë po vdesin”- shkroi në rrjete sociale zyrtari i lartë ukrainas.

“Kemi nevojë për më pak përsiatje për “rrjedhjet” e më shumë armë me rreze të gjatë me qëllim që t’i jepet fund luftës në mënyrën e duhur dhe që ta bëjmë Federatën Ruse që të ballafaqohet me realitetin”- shtoi ai.

Ukraina ka kërkuar armë me rreze të gjatë për të pasur mundësi që t’i sulmojë depot e municionit dhe qendrat e logjistikës që forcat ruse i kanë vendosur jashtë rrezes së sistemeve ekzistuese, raporton televizioni CNN.

Në janar, zyrtarët ukrainas kërkuan që vendi i tyre të furnizohej me raketa me rreze më të gjatë që do të mund ta arrinin territorin rus.

Megjithatë, aleatët perëndimorë deri më tani kanë qenë të kujdesshëm për të mos e furnizuar Ukrainën me sisteme që mund ta arrijnë territorin e Rusisë me qëllim të zvogëlimit të rrezikut për eskalimin e konfliktit.

Lajme të ngjashme