Kancelari gjerman: Gazi nuk do të jetë mungesë, por do të jetë më i shtrenjtë
Kancelari gjerman Olaf Scholz u premtoi qytetarëve gjermanë mbështetje të plotë në lidhje me inflacionin dhe rritjen e çmimeve të energjisë në vjeshtë dhe dimër.
"Ne do të bëjmë gjithçka për t'i ndihmuar qytetarët t'i kalojnë këto kohë të vështira. Dhe për këtë arsye qeveria, krahas masave ekzistuese, është e vendosur që në vjeshtë të prezantojë masa të reja për t'i lehtësuar jetën qytetarëve", tha ai.
Scholz tha se "Gjermania po jeton në kohë të vështira" dhe se do të testohet, por se ai nuk pret që rritja e çmimeve të energjisë të çojë në trazira sociale. "Unë nuk besoj se do të ketë trazira sociale dhe kjo për shkak se Gjermania është një shtet i mirëqenies", tha Scholz. Ai shtoi se shteti “nuk do të lërë askënd në baltë”, duke pasur parasysh mbi të gjitha qytetarët me të ardhura më të ulëta.
Ai tha se qeveria po përballet me probleme me furnizimin me produkte energjetike, të cilat pjesërisht janë rezultat i vendimeve të qeverive të mëparshme. “Në të kaluarën kemi marrë vendime në lidhje me braktisjen e qymyrit si burim energjie për prodhimin e energjisë elektrike, si dhe termocentralet bërthamore, por në të njëjtën kohë nuk kemi përcaktuar shpejtësinë e modernizimit të industrisë për të kaluar tek burimet e rinovueshme të energjisë”, tha Scholz.
Gazi nuk do të ketë mungesë, por do të jetë më i shtrenjtë
Në të njëjtën kohë ai theksoi se nuk do të ketë mungesë të gazit, ndër të tjera, për shkak të rritjes së kthimit të gazit të lëngshëm si zëvendësues i gazit natyror nga Rusia. Gazi do të jetë më i shtrenjtë, por do të ketë mjaftueshëm”, theksoi Scholz.
Ai mbrojti ndërtimin e një tubacioni gazi nga Portugalia përmes Spanjës dhe Francës në Evropën Qendrore, në mënyrë që të largojë Evropën nga varësia e saj energjetike nga Rusia. "Një tubacion i tillë tani do të lehtësonte ndjeshëm furnizimin", tha Scholz.

Ai e diskutoi atë me liderët e Spanjës, Portugalisë, Francës dhe Komisionit Evropian në Bruksel dhe loboi për ngritjen e një projekti të tillë. Kancelari gjerman iu referua edhe luftës në Ukrainë, duke theksuar se Gjermania do të vazhdojë ta ndihmojë atë vend dhe tha se është skeptik për kërkesën për ndalimin e hyrjes së shtetasve rusë në Bashkimin Evropian.
“Është lufta e Vladimir Putinit dhe kjo është arsyeja pse unë do të kisha problem të ndëshkoja të gjithë qytetarët rusë”, tha Scholz.
Ai theksoi se do të vazhdojë të zbatojë sanksione kundër individëve që mbështesin sulmin rus në Ukrainë. /Nacionale/
