Scholz-i premton pako të re ndihme për gjermanët për faturat e rrymës
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, të enjten premtoi një pako të re të masave, përfshirë lirimin nga taksat, për t’u ndihmuar njerëzve që po ballafaqohen me rritjen e çmimeve dhe shtrenjtimin e rrymës pas pandemisë dhe luftës së Rusisë në Ukrainë.
Duke folur në konferencën e parë verore, traditë e trashëguar nga paraardhësja Angela Merkel, kancelari gjerman tha se masat e tilla përsëri do ta nënkuptojnë respektimin e kufizimit të borxhit qeveritar deri në vitin e ardhshëm.
“Qytetarët mund të llogaritin në ne që të mos u braktisim ata”, tha ai para gazetarëve në Berlin, raporton agjencia "Reuters".
Pas marrjes së pushtetit në dhjetor, qeveria e udhëhequr nga social-demokratët është ballafaquar me fillimin e luftës në Ukrainë, që ka shkaktuar ngritje të çmimeve të gazit dhe riplanifikim të sektorëve të energjisë, mbrojtjes e politikës së jashtme.
Qeveria ka vendosur masa për lehtësimin e çmimeve të energjisë për kompanitë që po ballafaqohen me vështirësi. Megjithatë, propozimet e ministrit të Financave, Christian Lindner, për ta rritur pragun e taksave në të ardhura ka nxitur kritika brenda koalicionit këtë javë.
Sa i përket politikës së jashtme, Scholz-i tha se Gjermania do ta trajtojë krizën e energjisë në solidaritet me Bashkimin Evropian dhe që ai është duke bërë shtytje për ndërtimin e një gazsjellësi nga Portugalia përmes Spanjës e Francës për t’i diversifikuar furnizimet evropiane.
Duke folur për propozimin që t’i vihet tavan çmimit të naftës ruse, të paraqitur në samitin e Grupit G7, të udhëhequr nga kancelari gjerman në qershor, ai tha se duhet të blihet naftë nga vende të tjera që ky propozim të funksionojë.
Kur u pyet nëse rritja e çmimeve mund të shkaktojë kryengritje sociale, ai tha: “Jo, nuk mendoj se do të shohim kryengritje në këtë vend në këtë formë, sepse Gjermania është shtet i mirëqenies... Kjo gjendje e mirëqenies duhet të futet në fuqi në këtë situatë duke thënë se ne nuk do të lëmë askënd vetë”, tha Scholz-i./Nacionale
