Jordania e paralajmëron Izraelin pas tërheqjes së ambasadorit: Të gjitha opsionet janë mbi tavolinë
Jordania tha të hënën se po i lë të hapura të gjitha opsionet për kundërpërgjigje ndaj atij që e quajti dështim të Izraelit për ta bërë dallimin mes caqeve ushtarake e civile gjatë bombardimit të shpeshtë dhe hyrjes në Rripin e Gazës.
Kryeministri i Jordanisë, Bisher al Khasawneh, nuk ofroi hollësi për hapat që do t’i bënte vendi i tij, disa ditë pas tërheqjes së ambasadorit nga Izraeli si shenjë proteste ndaj ofensivës izraelite në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, raporton agjencia “Reuters”.
Jordania gjithashtu njoftoi javën e kaluar se ambasadori izraelit, që u largua nga Amani pak kohë pas sulmit të Hamasit, nuk do të lejohet që të kthehet në këtë shtet, duke e shpallur në thelb “persona non grata”.
“Të gjitha opsionet janë në tavolinë për Jordaninë në qasjen tonë me agresionin izraelit ndaj Gazës dhe pasojave të tij”- tha kryeministri jordanez para mediave shtetërore. Jordania ka nënshkruar një traktat të paqes me Izraelin në vitin 1994.
Khasawneh tha se rrethimi i Gazës me popullsi të dendur nga forcat izraelite nuk është vetëmbrojtje, siç pretendon ky shtet. “Sulmi brutal izraelit nuk bën dallim mes caqeve civile e ushtarake dhe është duke u zgjeruar në zona të sigurta e ambulanca”- shtoi ai.
Disa diplomatë kanë thënë se Jordania është duke i rishikuar lidhjet ekonomike, politike e të sigurisë me Izraelin dhe mund të ngrijë ose të anulojë disa pjesë të traktatit të paqes, nëse përkeqësohet konflikti në Gaza.
