Janë publikuar pamjet nënujore me dron, mungojnë 50 metra gyp nga Nord Stream
Të paktën 50 metra gyp nga një tubacion gazi nën Detin Baltik mungon, raportoi e përditshmja suedeze Expressen pasi publikoi pamjet e para të dëmtimit në shtator.
Policia suedeze dhe prokuroria e shtetit dyshojnë se rrjedhja e gazit nga gazsjellësit North Stream 1 dhe North Stream 2 më 26 shtator ishte rezultat i një shpërthimi të qëllimshëm dhe për këtë arsye po hetojnë rastin si një akt sabotimi.
Një video e marrë nga një mjet i vogël nënujor me telekomandë ose dron nënujor, i publikuar nga Expressen, tregon metalin e përkulur dhe një tubacion të ekspozuar në fund të Detit Baltik. Pjesë të atij gazsjellësi kanë skaje të drejta dhe të mprehta, ndërsa të tjerat janë të deformuara, sipas pamjeve të realizuara në një thellësi prej rreth 80 metrash.
Pamjet janë xhiruar të hënën, tha Expressen, ndërsa Reuters shtoi se nuk mund të verifikonte në mënyrë të pavarur nëse pamjet tregonin në të vërtetë tubacionin e gazit Nord Stream 1. Shërbimet suedeze të sigurisë thanë në tetor se kishin sekuestruar materiale nga vendi i shpërthimit për hetim.
Nuk dihet nëse hetuesit suedezë mund të kishin ndryshuar situatën në vendin e shpërthimit me mbërritjen e tyre. Marina dhe policia e sigurisë suedeze nuk pranuan të komentojnë raportin e Expressen dhe roja bregdetare nuk ishte menjëherë e disponueshme për koment, shtoi Reuters.
Policia e Kopenhagës që po heton këputjet e dy tubacioneve të gazit tha të martën se vrimat e vërejtura në anën daneze të kufirit detar në Detin Baltik dukej se ishin shkaktuar nga "shpërthime të fuqishme". /Nacionale/