Izraelit i vriten edhe dy komandantë togash, Netanyahut i lypet dorëheqja: Qeveria s’po funksionon - NACIONALE

Izraelit i vriten edhe dy komandantë togash, Netanyahut i lypet dorëheqja: Qeveria s’po funksionon

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë njoftuar se dy ushtarë të tjerë iu vranë të mërkurën në pjesën veriore të Rripit të Gazës, duke e çuar në 50 numrin e përgjithshëm të ushtarëve të vrarë që nga fillimi i ofensivës tokësore kundër Hamasit. Ndërkohë, kryeministrit Benjamin Netanyahu nga opozita i është kërkuar dorëheqja.

Ushtria izraelite tha se të vrarët janë Kapiten Asaf Master, 22 vjeç, nga Kibbutz Bahan-i, komandant toge në Batalionin e 601-të të Brigadës së 401-të, dhe Kapiten Itzhak Franco, 22 vjeç, nga Jerusalemi, komandant toge në Batalionin e 52-të të Brigadës së 401-të, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Për më tepër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se një oficer rezervë i Brigadës “Negev” u plagos seriozisht gjatë luftimeve në Gaza të mërkurën, ndërsa një anëtar i forcave rezervë në Divizionin e Gazës u plagos seriozisht gjatë aktiviteteve operacionale në zonën kufitare të Gazës.

Të mërkurën, udhëheqësi opozitar, Yair Lapid, i bëri thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu që të jepte dorëheqje për atë që ai e quajti menaxhim të dobët të luftës kundër Hamasit nga ana e Qeverisë.

“Netanyahu duhet të largohet tani, gjatë luftimeve”- tha kryetari i partisë Yesh Atid. Kjo është hera e parë që ai haptazi bëri thirrje për largimin e kryeministrit që nga fillimi i luftës.

“Ne do të ulemi [në Qeveri] me një kandidat tjetër nga Likudi [partia e Netanyahut]. Ka shumë njerëz aty që kuptojnë se vendi është duke shkuar në një vend të keq”- shtoi politikani opozitar.

“Kjo qeveri nuk është duke funksionuar. Kemi nevojë për ndryshim – Netanyahu nuk mund të vazhdojë që të jetë kryeministër. Nuk mund t’i lejojmë vetes që të kryejmë një fushatë të zgjatur me një kryeministër në të cilin publiku nuk ka besim”- tha më tej Lapidi, ish-kryeministër i Izraelit.

Opozitari tha se është i gatshëm që të formojë një “qeveri të rindërtimit kombëtar”, të udhëhequr nga partia e kryeministrit të tanishëm, duke i përfshirë edhe partitë ultra-ortodokse, partinë e Avigdor Libermanit dhe atë të Benny Gantzit, por theksoi se Netanyahu “nuk mund ta udhëheqë atë”.

Lapidi nuk iu bashkua kabinetit të luftës, që u formua vetëm gjashtë ditë pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, duke pretenduar se një format i tillë nuk do të mund të funksiononte. Ai e kishte kushtëzuar pjesëmarrjen në këtë kabinet me shkarkimin e ministrave të së djathtës ekstreme, Bezalel Smotrich dhe Ben Gvir.

Shumë izraelitë e kanë akuzuar Qeverinë për kundërpërgjigje të paaftë e kaotik ndaj krizës, përfshirë reagimin e ngadalshëm të ushtrisë ndaj hyrjes së militantëve të Hamasit në territorin e vendit.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme