Izraeli ua ndalon rekruteve detyrën e rojave të burgjeve, dyshime për marrëdhënie me një palestinez
Ushtaret e Izraelit nuk do të kenë të drejtë që të shërbejnë si roja në burgje të sigurisë së lartë pas dyshimeve për marrëdhënie intime me një të burgosur palestinez.
Mediat izraelite thonë se një ushtare ka pranuar se ka pasur kontakt intim fizik me një burrë palestinez që thuhet se kishte kryer sulm vdekjeprurës ndaj civilëve izraelitë, raporton televizioni BBC.
Mendohet se kjo grua ishte në shërbim ushtarak, që është i detyrueshëm për shumicën e izraelitëve. Gratë duhet të shërbejnë për të paktën dy vjet në ushtri, ndërsa burrat 32 muaj.
Emrat e ushtares dhe të burgosurit të dënuar me burgim të përjetshëm nuk janë publikuar.
Gjykata që po e trajton rastin ka lëshuar urdhër që të mos zbulohen as hollësi të tjera për këtë rast, përfshirë vendndodhjen e burgut.
Mediat izraelite raportuan gjithashtu se gjatë marrjes në pyetje, ushtarja – që është arrestuar – ka pretenduar se edhe katër gra të tjera kishin pasur marrëdhënie intime me burrin e njëjtë.
I burgosuri palestinez është zhvendosur nga qelia e tij në një sektor të ndarë para marrjes në pyetje, tha Shërbimi i Burgjeve i Izraelit.
Të premten, drejtorja e Shërbimit Izraelit të Burgjeve, Katy Perry, dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, njoftuan se ushtaret nuk do të shërbejnë më në burgje të sigurisë së lartë ku mbahen “terroristë” palestinezë.
Ka pasur thirrje të përsëritura që të ndërpritet shërbimi i ushtareve izraelite në burgjet me siguri të lartë në Izrael. Megjithatë, kjo masë nuk ishte zbatuar më parë për shkak të mungesës së stafit për t’i zëvendësuar ato.
Vitin e kaluar, ministrat izraelitë e urdhëruan fillimin e një hetimi pas një skandali në një burg, ku pretendohej se të dënuarit palestinezë kishin sulmuar dhe përdhunuar ushtare që shërbenin si roja dhe se disa zyrtarë të lartë të burgut i kishin shfrytëzuar rekrutet.