Izraeli përgatitet ta rihapë pikëkalimin kufitar të Rafahut për ta lejuar hyrjen e ndihmave - NACIONALE

Izraeli përgatitet ta rihapë pikëkalimin kufitar të Rafahut për ta lejuar hyrjen e ndihmave

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Pikëkalimi i vetëm kufitar mes Gazës dhe Egjiptit pritet të rihapet për ta lejuar hyrjen e qindra kamionëve me ndihma shumë të nevojshme në Gaza.

Agjencitë e ndihmave thanë të mërkurën se po shpresonin për shtim të asistencës humanitare, sidomos në pjesën veriore të Gazës, ku ditëve të fundit janë rikthyer më shumë se 300 mijë njerëz të vendosur. Mijëra tonë ndihma, përfshirë ushqimin dhe dërgesat mjekësore, janë ngarkuar në kamionë në pritje në Egjipt ose janë grumbulluar në vende të tjera në rajon, thanë zyrtarët humanitarë.

Të paktën 400 kamionë të ngarkuar me ndihma ishin drejtuar për në Gaza, tha të mërkurën pasdite Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane, por ishte e paqartë se sa kohë do të nevojitej që autokolonat t’i përfundonin formalitetet kufitare dhe të hynin në enklavë, raporton gazeta "The Guardian".

Sipas televizionit publik izraelit, vendimi për ta rihapur pikëkalimin kufitar në Rafah erdhi pasi Izraeli u njoftua për synimin e Hamasit që të kthejë edhe katër trupa pengjesh të mërkurën, veprim që ende nuk është konfirmuar nga grupi.

Televizioni “Kan TV” gjithashtu raportoi se në Gaza do të lejohet hyrja e pajisjeve të rënda që nevojiten për riparimin e infrastrukturës së dëmtuar, ndërsa palestinezëve që janë larguar nga enklava gjatë luftës do t’u lejohet kthimi për herë të parë. Të tjerëve do t’u lejohet largimi nga Gaza përmes pikëkalimit në Rafah, pas miratimit të sigurisë nga Izraeli.

Palestinezët që janë në pritje të vlerësimit mjekësor thanë se ende nuk kishin marrë ndonjë njoftim nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për t’u përgatitur për udhëtim.

Pikëkalimi në Rafah ka qenë i mbyllur që nga maji i vitit 2024, kur u mor nën kontroll nga forcat izraelite, të cilat e kufizuan hyrjen nga Izraeli në Gaza. Izraeli në mënyrë të përsëritur e ka bllokuar hyrjen e ndihmave në Gaza gjatë luftës, duke nxitur akuza se e ka përdorur urinë si armë lufte.

Zyrtarët humanitarë në Qytetin Gaza thanë të mërkurën se ndihmat nevojiten shumë, pasi qindra mijëra njerëz nuk kanë ujë të pastër për pije, ushqim dhe produkte të tjera esenciale dhe se shumë të tjerë janë duke pësuar vuajtje të mëdha./Nacionale

Lajme të ngjashme