Izraeli e autorizon kundërpërgjigjen ndaj sulmit të Hezbollahut, anulohen fluturime në Bejrut
Kabineti i sigurisë i Izraelit të dielën e autorizoi Qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të vendosur rreth “mënyrës dhe kohës” së një kundërpërgjigjeje ndaj një sulmi me raketë në Rrafshnaltën e Golanit, të pushtuar nga Izraeli, ku u vranë 12 adoleshentë e fëmijë dhe për të cilin Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e fajësuan Hezbollahun.
Ndërkohë raportohet se fluturime në aeroportin e Bejrutit në Liban janë anuluar ose shtyrë. Kompania “Middle East Airlines” e Libanit tha se pengesat në orarin e fluturimeve të saj janë të ndërlidhura me rreziqet e sigurimit, raporton agjencia “Reuters”.
Në tabelën e të dhënave për fluturime në aeroportin e Bejrutit dhe në uebfaqen për përcjelljen e fluturimeve “Flightradar24” tregohet se edhe kompania ajrore “Turkish Airlines” i kishte anuluar dy fluturime gjatë natës të dielën.
Disa fluturime, të planifikuara për të aterruar të hënën në Bejrut, u anuluan edhe nga kompanitë “SunExpress”, “Ajet”, “Aegean Airlines”, “Ethiopian Air” dhe MEA. Këto kompani nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Hezbollahu e ka mohuar përgjegjësinë për sulmin në Majdal Shams të shtunën, më vdekjeprurësi në Izrael ose në territoret e aneksuara nga Izraeli që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, që e nxiti nisjen e luftës në Gaza.
Izraeli është zotuar për hakmarrje kundër Hezbollahut në Liban dhe aeroplanë luftarakë izraelitë goditën caqe në jug të Libanit të dielën. Megjithatë, ka pritshmëri se një kundërpërgjigje më e fuqishme mund të vijë më vonë, pas takimit të kabinetit të sigurisë në Tel Aviv.
Pas përfundimit të takimit, zyra e Netanyahut tha se kabineti “i autorizoi kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes për të vendosur rreth mënyrës dhe kohës së kundërpërgjigjes”.
Shtëpia e Bardhë të dielën gjithashtu e fajësoi Hezbollahun për sulmin në Majdal Shams. “Ky sulm u krye nga Hezbollahu libanez. Ishte raketa e tyre dhe u hodh nga një zonë që ata e kontrollojnë” – thuhet në një deklaratë të ShBA-së.
Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, kandidate demokrate për presidente, tha përmes këshilltarit të saj për siguri kombëtare se “mbështetja e saj për sigurinë e Izraelit është e hekurt”./Nacionale