Izraeli do të shkarkojë dy oficerë të lartë pas vrasjes së ekipit të huaj të ndihmave
Dy oficerë të lartë do të shkarkohen për shkak të rolit të tyre dhe disa komandantë të tjerë të lartë do të qortohen zyrtarisht për përfshirjen e tyre në një sulm vdekjeprurës me dron kundër një grupi të shtatë punëtorëve të ndihmave të organizatës “Kuzhina Qendrore Botërore” më herët këtë javë, tha ushtria izraelite.
Hetimi i incidentit që ndodhi rreth mesnatës mes së hënës dhe të martës u krye nga Mekanizmi për Vlerësim dhe Gjetje të Fakteve i Shtabit të Përgjithshëm, organ i pavarur ushtarak që është përgjegjës për hetimin e incidenteve të pazakonshme, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Sipas hetimit, sulmi ishte urdhëruar kundër automjeteve të Kuzhinës Qendrore Botërore, pasi oficerët kishin dyshuar se ato po bartnin persona të armatosur të Hamasit, pavarësisht se kishte nivel të ulët të besimit. Oficerët nuk i identifikuan automjetet si pronë e organizatës së huaj, kur u dha urdhri për sulm, sipas rezultateve të hetimit.
Rezultatet e hetimit iu prezantuan të enjten komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtënant Herzi Halevi, nga drejtori i mekanizmit hetues, Gjeneral Major Yoav Har-Even. Rezultatet iu dërguan edhe organizatës që iu vranë punëtorët si dhe ambasadorëve të shteteve nga të cilat vinin viktimat.
Halevi dha urdhër për shkarkimin e Kolonel Nochi Mendel-it, komandant i Brigadës së Këmbësorisë “Nahal”, dhe oficerit për bashkërendimin e zjarrit të brigadës, që e mban gradën e majorit, për përfshirjen e tyre në dhënien e urdhrit për sulm ndaj automjeteve.
Sipas hetimit, trupat izraelite identifikuan një person të armatosur mbi njërën prej veturave të Kuzhinës Qendrore Botërore që kishin arritur në një depo për të shkarkuar një ngarkesë me ndihma që kishte arritur më herët përmes detit. Trupat besonin, gjithashtu, se në zonë ishte edhe një i armatosur tjetër.
Më vonë, disa automjete u larguan nga depoja ku ishte shkarkuar ndihma dhe njëri prej komandantëve besoi gabimisht se burrat e armatosur që ishin parë më herët ndodheshin në automjetet që po lëviznin dhe se ata ishin anëtarë të Hamasit, thuhet në hetimin e ushtrisë izraelite./Nacionale