Ishte qëlluar me armë në kokë gjatë fushatës në qershor, vdiq senatori kolumbian Uribe
Senatori kolumbian, Miguel Uribe, i cili po qëndronte në spital që nga koha kur ishte qëlluar me armë në kokë në qershor në një tubim fushate, ka vdekur, njoftoi të hënën familja e tij. Ai ishte 39 vjeç.
Uribe, kandidat i mundshëm për president i opozitës djathtiste, ishte qëlluar me armë në Bogota më 7 qershor gjatë një tubimi dhe u ishte nënshtruar disa operacioneve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Kërkoj nga Zoti që të ma tregojë mënyrën për të mësuar të jetoj pa ty. Pushofsh në paqe, dashuri e jetës sime, unë do të përkujdesem për fëmijët tanë” – shkroi në rrjete sociale bashkëshortja e tij, Maria Claudia Tarazona.
Vdekja e Uribes e thellon tragjedinë e historisë me dhimbje të familjes së tij. Nëna e Uribes, Diana Turbay, ishte vrarë në vitin 1991 gjatë një misioni të dështuar shpëtimi, pasi ishte rrëmbyer nga karteli i drogës Medellin, që udhëhiqej nga Pabo Escobari.
Vetë Uribe kishte gëzuar ngritje të shpejtë politike, duke u bërë ligjvënës i njohur i partisë Qendra Demokratike dhe kandidat presidencial i njohur për kritikat e tij të ashpra ndaj administratës majtiste të presidentit Gustavo Petro.
Në moshën 25-vjeçare, ai ishte zgjedhur në këshillin e qytetit të Bogatas, ku ishte kundërshtar i dalluar i Petros, pastaj kryetar i kryeqytetit, duke i kritikuar menxhimin e mbeturinave dhe programet sociale.
Në zgjedhjet legjislative të vitit 2022, Urbie e kishte udhëhequr garën e Qendrës Demokratike për Senat me sloganin “Kolumbia e Para”, duke e siguruar ulësen në këtë institucion.
Familja e tij është e njohur në politikën kolumbiane. Gjyshi i tij nga nëna, Julio Cesar Turbay, ka qenë president i Kolumbisë në periudhën 1978 – 1982, ndërsa gjyshi nga babai, Rodrigo Urbie Echavarria, ka qenë kryetar i Partisë Liberale dhe e ka mbështetur fushatën e suksesshme presidenciale të Virgilio Barco-s më 1986./Nacionale