Ish-sekretari Rasmussen propozon që Ukraina të hyjë në NATO pa territoret e pushtuara - NACIONALE

Ish-sekretari Rasmussen propozon që Ukraina të hyjë në NATO pa territoret e pushtuara

8 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka paraqitur një propozim që Ukraina t’i bashkohet kësaj aleance, por pa territoret e pushtuara nga Rusia.

Rasmusseni ka punuar për kohë të gjatë bashkë me Andriy Yermak-un, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, sidomos para samitit të NATO-s në Lituani këtë vit, që përfundoi pa ftesë për Ukrainën që të anëtarësohet, raporton gazeta “The Guardian”.

Ish-zyrtari i lartë, që ishte në krye të NATO-s në periudhën 2009 – 2014, këmbënguli se plani për anëtarësimin e pjesshëm të Ukrainës nuk do të simbolizonte ngrirje të konfliktit, por, në vend të kësaj, do të shënonte vendosmëri për ta paralajmëruar Rusinë që nuk mund ta parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në aleancë.

NATO-ja do ta mbajë samitin e ardhshëm në Uashington në verën e vitit 2024 dhe çështja e anëtarësimit të Ukrainës në të ardhmen pritet të jetë temë e rëndësishme.

Udhëheqësit e Ukrainës ishin shprehur të zhgënjyer thellë, kur NATO-ja, nën presionin e Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, në samitin e këtij viti lëshoi një deklaratë në të cilën tha se Ukrainës do t’i ofrohet ftesa për anëtarësim, kur kjo të mundësohet nga kushtet, duke e refuzuar në thelb kërkesën e shtetit të Evropës Lindore për t’i caktuar një datë specifike.

Rasmusseni tha se çështja e anëtarësimit të Ukrainës nuk mund të shtyhet prapë vitin e ardhshëm. “Ka ardhur koha që të bëhet hapi i radhës dhe t’i ofrohet një ftesë Ukrainës për t’iu bashkuar NATO-s. Kemi nevojë për një arkitekturë të re evropiane të sigurisë në të cilën Ukraina është në zemër të NATO-s”- tha ai.

Sipas tij, duke hequr dorë nga territori që është nën kontrollin e Rusisë, zvogëlohet rreziku për konflikt NATO – Rusi.

Ai mohoi se ky veprim do ta ngrinte konfliktin. “Besueshmëria absolute e garancive të nenit 5 do ta frenonin Rusinë nga kryerja e sulmeve brenda territorit ukrainas brenda NATO-s dhe kështu do të lironte forca ukrainase për të shkuar në vijën e frontit”- tha ish-sekretari Rasmussen.

“Për ta bërë të besueshëm nenin 5, duhet të ketë një porosi të qartë për Rusinë se çfarëdo shkeljeje e territorit të NATO-s do të ballafaqohej me një kundërpërgjigje”- tha më tej ish-kryeministri i Danimarkës.

Lajme të ngjashme