Inteligjenca daneze e akuzon ShBA-në se po e përdor fuqinë ekonomike për ta imponuar vullnetin mbi aleatët
Shërbimet daneze të inteligjencës i kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara se po e shfrytëzojnë fuqinë ekonomike për ta “imponuar vullnetin e tyre” dhe për kërcënime me forcë ushtarake kundër aleatëve.
Komentet e bëra në vlerësimin vjetor të pbulikuar këtë javë e shënojnë herën e parë që Shërbimi Danez i Inteligjencës së Mbrojtjes (DDIS) e ka futur ShBA-në në listën e kërcënimeve ndaj vendit. Në raport paralajmërohet se Danimarka “po ballafaqohet e gjithnjë e më shumë rreziqe seriose dhe sfida të politikës së sigurisë se në shumë vite [të kaluara]”, raporton gazeta “The Guardian”.
Më tej, në raport thuhet se Uashingtoni “tani po e përdor fuqinë e vet ekonomike dhe teknologjike si mjet të fuqisë, përfshirë atë kundër aleatëve dhe partnerëve”.
Sipas inteligjencës daneze të mbrojtjes, konkurrenca mes superfuqive, Rusisë, Kinës e ShBA-së, “gjithnjë e më shumë po ndodh në Arktik”, rajon që po i shtohet rëndësia strategjike në kohën e rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit. Një gjë e tillë, theksohet aty, paraqet një rrezik specifik ndaj Danimarkës, e cila dikur e qeveriste Grenlandën si koloni dhe vazhdon që t’i ketë nën kontroll politikën e jashtme dhe të sigurisë të ishullit gjigant.
“Konkurrenca e shtuar mes fuqive të mëdha në Arktik e ka shtuar në masë domethënëse vëmendjen ndërkombëtare në rajon” – thuhet në raport. “Kjo vlen në veçanti për interesin e shtuar të Shteteve të Bashkuara në Grenlandë dhe rëndësinë e saj për sigurinë kombëtare të ShBA-së” – shtohet në dokument.
“Në të njëjtën kohë, vëmendja e shton rrezikun nga spiunimi, përfshirë spiunimin kibernetik, si dhe përpjekjet për të ndikuar më tej në të gjitha pjesët e Mbretërisë së Danimarkës” – theksohet në raport.
Javën e kaluar, në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, dokument që ka një hyrje të nënshkruar nga presidenti Donald Trump, u tha se Evropa ballafaqohet me “shuarje të civilizimit” brenda dy dekadave të ardhshme si rezultat i migrimit dhe integrimit në BE, duke argumentuar se ShBA-ja duhet ta “kultivojë rezistencën” brenda kontinentit “ndaj trajektores së tanishme të Evropës”.
Më herët këtë vit, nënpresidenti amerikan, JD Vance, fizitoi një bazë ushtarake amerikane në Grenlandë dhe e akuzoi Danimarkës se “nuk ka bërë punë të mirë” në ishull./Nacionale