Inflacioni në Ukrainë arrin në 22 për qind
Shkalla e inflacionit në Ukrainë shkoi në 22.2 për qind në korrik, në krahasim me 21.5 për qind në qershor. Ky është niveli më i lartë i inflacionit në vend që nga shkurti i vitit 2016.
Kostoja e ushqimit dhe pijeve joalkoolike u rrit edhe më shumë 28.9 për qind, në krahasim me 27.7 për qind në qershor.
Produktet e amviserisë dhe mobilierive u shtrenjtuan për 16.2 për qind, në krahasim me 15.9 për qind në qershor, shkruan “Trading Economics”.
Shërbimet e restoranteve dhe hoteleve u shtrenjtuan për 16.4 për qind, në krahasim me 15.9 për qind në qershor, ndërsa shërbimet në sistemin e arsimit 16.1 për qind, pak më shumë se 15.1 për qind, sa ishte rritja në qershor.
Ndonëse mbeti në nivel të lartë, inflacioni në sektorin e transportit u ul pak në krahasim me qershorin. Në korrik inflacioni i transportit ishte 40.4 për qind, në krahasim me 42.4 për qind në qershor.
Kjo rënie erdhi falë rritjes së ngadalësuar të çmimit të karburanteve dhe lubrifikantëve – 77.7 për qind në korrik, në krahasim me 90.9 për qind në qershor.
Në bazë mujore, çmimet e konsumit u rritën për 0.5 për qind, një rënie e lehtë nga 0.6 për qind në muajin paraprak.
Në prill të këtij viti, Banka Botërore kishte parashikuar që pushtimi rus do ta tkurrte ekonominë e Ukrainës për 45 për qind gjatë vitit 2022, ndonëse kishte theksuar se niveli i tkurrjes do të varej nga periudha se sa do të zgjasë lufta dhe nga intensiteti i saj.
“Ukraina ka nevojë për përkrahje masive financiare menjëherë përderisa përpiqet që ta mbajë funksionale ekonominë e saj dhe qeveria po mundohet që të japë përkrahje për qytetarët e saj që po vuajnë dhe po ballafaqohen me një situatë ekstreme”, kishte deklaruar Anna Bjerde, nënpresidente e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore.
Banka botërore kishte thënë se lufta është duke i goditur edhe vendet në zhvillim në Evropë dhe Azi Qendrore, rajon që tashmë ishte duke u ballafaquar me ngadalësim të rritjes ekonomike për shkak të efekteve të pandemisë.
Përpos Ukrainës, Banka Botërore kishte parashikuar që në recesion këtë vit do të futen Rusia, Bjellorusia, Kirgiyia, Moldavia dhe Taxhikistani.
“Lufta në Ukrainë dhe pandemia kanë treguar edhe një herë se kriyat mund të shkaktojnë dëm të gjerë ekonomik dhe të na kthejnë me vite prapa sa u përket përparimeve për të ardhurat dhe zhvillimin”, tha Asli Demirguc-Kunt, kryeekonomiste e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore./Nacionale

