Inaugurimi i presidentit Trump zhvendoset në ambiente të mbyllura
Inaugurimi i presidentit amerikan, Donald Trump, do të zhvendoset në ambiente të mbyllura, ka njoftuar vetë ai të premten, për shkak të temperaturave të ftohta të parashikuara në kryeqytetin amerikan.
Trump në rrjetin social “Truth Social” ka njoftuar se do të ketë “temperatura të rrezikshme”, raporton "CNN".
“Kam urdhëruar që Fjalimi i Inaugurimit, përveç lutjeve dhe fjalimeve të tjera, të mbahet në Capitol Rotunda, siç u bë nga Ronald Reagan gjatë vitit 1985, po ashtu për shkak të motit shumë të ftohtë”.
“Ne do të hapim Capital One Arena të hënën për shikim LIVE të kësaj ngjarje historike dhe për të pritur Paradën Presidenciale. Unë do t'i bashkohem turmës në Capital One, pas betimit tim” - shtoi Trump.
Zyrtarët janë të shqetësuar se temperaturat e ulëta paraqesin rrezik për shëndetin e të pranishmëve dhe të ftuarve – një shqetësim që Trump po ashtu shprehu të premten.
“Nuk dua të shoh njerëz të lënduar në asnjë mënyrë. Janë kushte të rrezikshme për dhjetëra mijëra pjesëtarë të Forcave të Ligjit, Përgjigjësit e Parë, K9-të e policisë dhe madje edhe kuajt, dhe qindra mijëra mbështetës që do të jenë jashtë për shumë orë në datën 20 (në çdo rast, nëse vendosni të vini, vishuni ngrohtësisht!),” – shkroi Trump.