I nominuari për ministër të Mbrojtjes të Rusisë flet për luftën – si ekonomist - NACIONALE

I nominuari për ministër të Mbrojtjes të Rusisë flet për luftën – si ekonomist

2 vjet më parë

nga NACIONALE

I nominuari i presidentit rus, Vladimir Putin, për ministër të ri të Mbrojtjes të Rusisë, Andrei Belousov, tha të martën se detyra kryesore e vendit të tij është që të arrijë fitore në fushën e betejës në Ukrainë me humbje minimale të ushtarëve.

Sipas tij, Rusia duhet t’i dislokojë të gjitha mjetet e avancuara dhe efikase që i ka në arsenalin e vet për të siguruar fitore të tillë dhe se vendi duhet të sigurohet që shpenzimet në fushën e mbrojtjes të përdoren në mënyrë më efikase, raporton agjencia “Reuters”.

Belousovi, ekonomist që Putini papritmas e nominoi të dielën për ta zëvendësuar Sergei Shoigun, tha se sektori ushtarak ka nevojë për më shumë efikasitet dhe inovacion.

“Armiku po mëson shpejt. Gjendja në lidhje me përdorimin e teknologjive të reja ndryshon fjalëpërfjalshëm çdo javë dhe këtu ne kemi nevojë jo vetëm të mësojmë, duhet ta parandalojmë armikun” – shtoi ai.

Belousovi, që nuk ka përvojë ushtarake, është ngarkuar nga Putini me detyrën e maksimizimit të efikasitetit në ekonominë ruse të luftës, përderisa trupat po mundohen që të depërtojnë më thellë në Ukrainë në vitin e tretë të konfliktit.

Ai u nominua për pozitën e lartë në kohën e një skandali ryshfeti në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili u zgjerua të martën me arrestimin e një zyrtari tjetër të lartë.

Belousovi tha se është e domosdoshme që ushtarët rusë t’i kenë pajisjet më moderne, përfshirë dronët dhe pajisjet e komunikimit, si dhe municion të mjaftueshëm.

Sidoqoftë, ai shtoi se nuk ka nevojë për mobilizim tjetër masiv të trupave ruse. Putini kishte dhënë urdhër për mobilizimin e 300 mijë rezervistëve në fund të vitit 2022, vendim jopopullist që kishte nxitur qindra mijëra rusë për t’u larguar nga vendi për ta shmangur rekrutimin.

Lajme të ngjashme