I dyshuari për sulmin e Brukselit nuk kishte vdekur menjëherë pas plagosjes, siç raportoi një medium në Kosovë
I dyshuari për vrasjen e dy shtetasve suedezë në Belgjikë të hënën nuk kishte vdekur menjëherë pasi ishte qëlluar me plumba nga policia, siç u raportua nga një medium në Kosovë, por ishte plagosur. Tek më vonë u raportua nga mediat belje se i dyshuari kishte vdekur, edhe pse vdekja e tij ende nuk është konfirmuar nga autoritetet.
Ministrja e Punëve të Brendshme e Belgjikës, Annelies Verlinden, kishte thënë se një burrë ishte qëlluar me armë nga policia dhe dyshohet se ai është autori i sulmit të së hënës, raporton agjencia “Reuters”.
“Arma me të cilën janë kryer sulmet është gjetur këtë mëngjes, ku burri u kpa në Schaerbeek. Kjo i bën më të mëdha gjasat që autori është kapur”- deklaroi ajo për televizionin VRT.
“Jemi duke i kontrolluar shenjat e gishtave për të qenë 100 për qind të sigurt”- shtoi ministrja belge.
Ajo njoftoi se burri ndodhej nën kujdes intensiv në spital.
Se i dyshuari ishte ende gjallë, e kishte thënë edhe zyra e prokurorit publik për gazetën belge, “De Standaard”.
Të hënën, i dyshuari me prejardhje tuniziane, përpos vrasjes së dy suedezëve, plagosi një person tjetër nga Suedia. Kryeministri belg, Alexander De Croo, e ka cilësuar rastin si sulm brutal terrorist.
Në një video të publikuar në internet, një burrë që e identifikoi veten si anëtar i ISIS-it e mori përgjegjësinë për sulmin.
Sulmuesi kishte marrë përgjigje negative për azil në vitin 2019 në Belgjikë dhe ishte i njohur për policinë në lidhje me trafikimin e njerëzve dhe banimin e paligjshëm, sipas ministrit të Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne.
