Hungarisë mund t’i zhbllokohen miliardat e BE-së në këmbim të përkrahjes për Ukrainën - NACIONALE

Hungarisë mund t’i zhbllokohen miliardat e BE-së në këmbim të përkrahjes për Ukrainën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian është duke e shqyrtuar zhbllokimin e miliarda eurove për Hungarinë, që ishin bllokuar për shkak të shqetësimit rreth sundimit të ligjit, me synimin për ta fituar përkrahjen e Budapestit për mbështetjen për Ukrainën, përfshirë fillimin e bisedimeve me Kievin për anëtarësim në BE, sipas disa zyrtarëve të lartë.

Hungaria mban lidhje më të ngushta me Rusinë se shtetet e tjera të BE-së dhe shihet si kundërshtare e mundshme kyçe e një vendimi që pritet të merret në dhjetor për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Ukrainën, për të cilin nevojitet mbështetja e të gjitha vendeve të bllokut, raporton agjencia “Reuters”.

Në pyetje është edhe përpjekja e Komisionit Evropian që shtetet anëtare të kontribuojnë më shumë në fondet e përbashkëta për të financuar më shumë ndihmë për Ukrainën. Edhe ky vendim pritet të merret në fund të vitit dhe kërkon miratim të njëzëshëm.

Një zyrtar i lartë i BE-së i tha agjencisë “Reuters” se për ta marrë votën e Hungarisë, blloku pret që ta shqyrtojë statusin e miliarda eurove të ngrira nga Bashkimi Evropian për Hungarinë për shkak të shqetësimit se kryeministri Viktor Orban e ka kufizuar pavarësinë e gjykatave.

“Nuk mund ta imagjinoj Hungarinë duke u pajtuar para se të ketë së pari një zgjidhje për fondet e bllokuara”- tha ky zyrtar.

Një zyrtar tjetër i BE-së konfirmoi se k pasur një lidhje mes lëshimit të fondeve për Hungarinë dhe planeve të BE-së për të kërkuar miratim të njëzëshëm, përfshirë bisedimet për zgjerim dhe për buxhet.

Megjithatë, burimet thanë se marrëveshja nuk është konkluzion i përfunduar dhe se shumë gjëra varen edhe nga Orbani, i cili ballafaqohet me ngecje ekonomike dhe thellim të deficitit buxhetor në Hungari.

“Hungarisë i duhet të hollat urgjentisht, që është nxitje për reformë. Komisionit i nevojitet Hungaria për t’i hequr vetot e saj për një numër çështjesh si këmbim, por nuk mendoj se Komisioni (Evropian) mundet ose do të lëvizë pa ndonjë lëvizje rreth reformave nga Budapesit”- tha një diplomat i BE-së.

Lajme të ngjashme