Orbani për bisedimet e pranimit të Ukrainës në BE: Nuk dimë sa i madh është territori i saj - NACIONALE

Orbani për bisedimet e pranimit të Ukrainës në BE: Nuk dimë sa i madh është territori i saj

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha të premten se “pyetje shumë të vështira” duhet të marrin përgjigje para se Bashkimi Evropian të mund t’i fillojë bisedimet për anëtarësim të Ukrainës në bllok.

Vendet e BE-së pritet që në dhjetor të vendosin nëse do ta lejojnë Ukrainën që t’i fillojë bisedimet për anëtarësim, hap që duhet të miratohet njëzëri nga të gjithë 27 anëtarët. Diplomatët kanë thënë se Hungaria mund të paraqesë pengesë, raporton gazeta “The Guardian”.

“Ne nuk mund ta shmangim pyetjen – kur gjatë vjeshtës do t’i kemi bisedimet në Bruksel për të ardhmen e Ukrainës – nëse ne në të vërtetë mund ta shqyrtojmë seriozisht anëtarësimin për një shtet, t’i fillojmë bisedimet për pranim me një shtet që është në luftë”- tha Orbani në radion shtetërore.

Në komentet që pritet ta zemërojnë Kievin, që këmbëngul se integriteti territorial i Ukrainës është i panegociueshëm, Orbani shtoi: “Ne nuk dimë se sa i madh është territori i këtij shteti, përderisa lufta është ende duke vazhduar, ne nuk dimë se sa e madhe është popullsia e tij, sepse ata po ikin. Të pranohet një shtet në BE pa i ditur parametrat e tij, kjo do të ishte e pashembullt.”

“Prandaj, unë mendoj se duhet t’u përgjigjemi pyetjeve shumë të gjata e të vështira derisa të arrijmë që në të vërtetë të vendosim për fillimin e bisedimeve për pranim”- tha më tutje kryeministri hungarez.

Të hënën, Orbani tha para deputetëve të vendit të tij se Hungaria nuk do ta përkrahë Ukrainën në asnjë çështje ndërkombëtare derisa të rivendosen të drejtat e gjuhës për hungarezët etnikë në këtë shtet.

Hungaria njihet për qëndrime që bien ndesh me politikat e përgjithshme perëndimore. Ky shtet është ende duke e bllokuar anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe ka qëndrim dukshëm më të butë ndaj Rusisë në krahasim me vendet e tjera të BE-së.

Lajme të ngjashme