Hetimi për korrupsion në energji, pezullohet ministri i Drejtësisë i Ukrainës - NACIONALE

Hetimi për korrupsion në energji, pezullohet ministri i Drejtësisë i Ukrainës

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Ukrainës e ka pezulluar ministrin e Drejtësisë, German Galushchenko, njoftoi kryeministrja ukrainase të mërkurën, në kohën e një hetimi për korrupsion në sektorin e energjisë.

Autoritetet ukrainase i kanë ngarkuar me akuza shtatë individë në lidhje me dyshimin për një skemë pagesash korruptive prej 100 milionë dollarësh, ku përfshihen zyrtarë të lartë të energjisë që ka shkaktuar zemërim publik dhe e ka përqendruar vëmendjen në betejën e Ukrainës kundër korrupsionit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Galushchenko, i cili në të kaluarën ka shërbyer si ministër i Energjisë, është subjekt i veprimeve hetuese, tha të martën ministria e tij, pa saktësuar nëse kjo ka të bëjë me rastin për korrupsion në fushën e energjisë që po hetohet nga Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit.

Vetë ministri u pajtua me vendimin e Qeverisë, duke thënë se “pezullimi për kohën e hetimit është një skenar i civilizuar dhe i duhur”.

“Unë do ta mbroj veten në fushën ligjore dhe do ta dëshmoj pozicionin tim” – shtoi Galushchenko në rrjetin social “Facebook”, pa dhënë më shumë hollësi për shkaqet e hetimit.

Akuzat për pagesa korruptive në sektorin e energjisë janë posaçërisht të ndjeshme në publikun e gjerë, i cili ballafaqohet me ndërprerje të gjata të furnizimit me energji në një pjesë të madhe të vendit ende pa filluar temperaturat dimërore, në kohën kur vendi po lufton kundër sulmeve masive ruse ndaj infrastrukturës energjetike./Nacionale

Lajme të ngjashme