Gjermania e ndalon grupin neo-nazist me lidhje në ShBA, kryen bastisje në 10 shtete gjermane
Qeveria gjermane të martën e shpalli të paligjshëm grupin neo-nazist, “Hammerskins Germany”, dhe bastisi shtëpi të dhjetëra anëtarëve të tij. Ky grup është degë e një grupi amerikan të së djathtës ekstreme dhe luan rol të rëndësishëm në Evropë.
Grupi “Hammerskins Germany” është degë e grupit “Hammerskins Nation”, i themeluar më 1988 në Shtetet e Bashkuara, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, raporton agjencia “Associated Press”.
Ky grup luan rol të rëndësishëm në skenën e ekstremizmit të së djathtës ekstreme në Evropë. Në nivel global, anëtarët e këtij grupi i referohen njëri-tjetrit me termin “vëlla” dhe e shohin veten si elitë e “vëllazërisë” që e praktikon mënyrën e vet të jetesës. Grupi e sheh veten edhe si elitë në skenën e grupeve të ekstremit të djathtë, sipas ministrisë gjermane.
“Ndalimi i (grupit) Hammerskins Germany është një goditje e rëndë kundër ekstremizmit të organizuar të së djathtës ekstreme”- tha ministrja e Punëve të Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, duke shtuar se në vendimin për ndalim përfshihen edhe degët rajonale të grupit dhe nën-organizata “Crew 38”.
“Me këtë ndalim, ne po u japim fund aktiviteteve çnjerëzore të një shoqate neo-naziste ndërkombëtarisht aktive në Gjermani. Kjo dërgon një sinjal të qartë kundër racizmit dhe antisemitizmit”- shtoi ministrja Faeser.
Në Gjermani, grupi ka rreth 130 anëtarë. Gjatë bastisjeve të kryera herët në mëngjes në dhjetë shtete gjermane, policia kreu operacione në shtëpitë e 28 anëtarëve të këtij grupi. Nuk qe menjëherë e qartë nëse ndonjëri prej anëtarëve është ndaluar.
Elementi thelbësor i ideologjisë së këtij grupi është propagandimi i një doktrine racore të bazuar në ideologjinë naziste. Qëllimi i këtij grupi është që të konsolidohen ekstremistët e së djathtës ekstreme në nivel global, sidomos përmes koncerteve, ku bëhen përpjekje që të radikalizohen ata që nuk janë anëtarë të grupit, sipas Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë.
Ndalimi i grupit “Hammerskins Germany” është vendimi i 20-të nga kjo ministri për ndalimin e shoqatave të së djathtës ekstreme.