Shqetësuese: AfD-ja ekstreme në Gjermani merr përkrahje rekorde, e lë prapa partinë e Scholzit
Përkrahja për koalicionin qeveritar të kancelarit Olaf Scholz në Gjermani ka rënë në nivelin më të ulët deri tani – vetëm 36 për qind – ndërsa mbështetja për partinë e së djathtës ekstreme, AfD, ka arritur në nivelin më të lartë – 22 për qind -, sipas një ankete të re të transmetuesit publik.
Të dhënat e publikuara të enjten në mbrëmje tregojnë se përkrahja për Partinë Socialdemokratike (SPD) të kancelarit Scholz ka rënë në 16 për qind, 1 për qind më pak se në fillim të muajit të kaluar, raporton agjencia “Anadolu”.
Edhe Të Gjelbrit, partnerë në koalicionin qeveritar, humbën një për qind të përkrahjes. Sipas anketës së re, ata kanë mbështetje prej 14 për qind. Partia e Lirë Demokratike pati 6 për qind përkrahje në anketë.
Opozita kryesore në Gjermani, aleanca konservatore mes Unionit Kristian-demokratik (CDU) dhe Unionit Kristian-social (CSU), mori 29 për qind përkrahje.
Sipas anketës së televizionit ARD, partia e së djathtës ekstreme, AfD (Alternativa për Gjermaninë) regjistroi përkrahje rekorde prej 22 për qind. Kjo parti ka qenë nën vëzhgim të shërbimeve të inteligjencës për paraqitje të rrezikut ndaj demokracisë.
Në anketë merret vesh se ekonomia është bërë shqetësimi kryesor i gjermanëve. 46 për qind e pjesëmarrësve në sondazh thanë se se situata ekonomike do të bëhet më e keqe pas një viti në krahasim me atë që është sot.
Rreth 26 për qind e pjesëmarrësve thanë se imigrimi është shqetësimi i tyre kryesor, ndërsa 18 për qind thanë se shqetësim kryesor i kanë ndryshimet klimatike.
AfD-ja e së djathtës ekstreme ka dyfish më shumë përkrahje në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, duke përfituar nga pakënaqësia e qytetarëve me politikat e koalicionit qeveritar.
