Gjashtë ushtarë sirianë u vranë nga sulmet izraelite me dronë, thotë televizioni shtetëror - NACIONALE

Gjashtë ushtarë sirianë u vranë nga sulmet izraelite me dronë, thotë televizioni shtetëror

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjashtë ushtarë sirianë u vranë nga sulmet izraelite me dronë në pjesën rurale të Damaskut, raportoi herët të mërkurën televizioni shtetëror, “El Ekhbariya”.

Siria dhe Izraeli janë të përfshirë në bisedime të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për lehtësimin e tensioneve në pjesën jugore të Sirisë. Damasku po synon një marrëveshje të sigurisë që do të mund ta hapte derën për bisedime më të gjera politike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Siria tha të hënën se Izraeli kishte dërguar 60 ushtarë në territorin e saj, afër Malit të Hermonit, duke e shkelur sovranitetin e saj, ndërsa ushtria izraelite tha se trupat e saj kryen një operacion rutinor në jug të Sirisë por jo në Beit Jinn, zonë afër kufirit me Libanin dhe afër Malit të Hermonit.

Ministria e Jashtme e Sirisë të martën i dënoi sulmet e reja izraelite ndaj territorit të saj, duke thënë se ato paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj paqes dhe sigurisë rajonale.

Izraeli në mënyrë të përsëritur i ka përmendur shqetësimet e veta për sigurinë si arsye për ndërhyrje ushtarake brenda Sirisë që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetorin e vitit të kaluar, përfshirë atë që e sheh si detyrim për t’i mbrojtur pjesëtarët e pakicës Druze në jug të Sirisë.

Në janar, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se trupat e vendit të tij do të mbeteshin në majën e Malit të Hermonit për periudhë të pacaktuar kohore./Nacionale

Lajme të ngjashme